Tiranë, mashtronin me viza pune për në Britani, prangoset 39-vjeçarja, dy të tjerë në kërkim

Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të "Udhëtimi i sigurt" ka prangosur një shtetase për mashtrim lidhur me vizat e punës.

Kjo shtetase, 39 vjeç, së bashku me persona të tjerë mashtronin shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbretërinë e Bashkuar.

"Mashtronin shtetas të ndryshëm duke i marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbretërinë e Bashkuar, vihet në pranga një shtetase, shpallen në kërkim 2 të tjerë.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Udhëtimi i sigurt", në kuadër të të cilit bënë ndalimin e shtetases E. T., 39 vjeçe, banuese në Fier.  Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit me inicialet E. M. dhe J. D. (për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbretërinë e Bashkuar dhe pajisjen me certifikatë të falsifikuar të gjuhës angleze." - njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, si dhe 2 aparate celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.