Lagjja në Laprakë ende pa zgjidhje, banorët: Nuk është vënë dorë, vijnë e shohin dhe ikin
Ndodhemi në rrugën "Vangjel Noti" shumë pranë zonës së Laprakës.
Ka mjaftuar vetëm pak orë shi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në mënyrë që rruga të zhduket duke i lënë vend vetëm pellgjeve me ujë.
Duket sikur kjo lagje është e veçuar nga pjesa tjetër e zonës së Laprakës përsa i përket investimeve.
Lëvizja e këmbësorëve dhe automjeteve është e vështirë ndërsa në kohë me shi është një mision thuajse i pamundur.
E vetmja ndërhyrje që është bërë në këtë rrugë nga autoritetet vendore është mbulimi i një pjese të gropave me zhavorr, por duke mos i dhënë një zgjidhje përfundimtare.
Kjo situatë është e përsëritur dhe pavarësisht këmbënguljes së medieve dhe kërkesave të banorëve, nuk është rregulluar.
"4 vjet një herë që s'ka vënë askush dorë në të, ndoshta ka dhe më shumë nuk e di. Kanë ardhur e kanë aprë, kanë hedhur dhe zhavorr, por po nuk u hapën kanalizimet është shumë keq," thotë një banor.
Një tjetër problematikë shqetësuese për banorët janë dhe mbeturinat përgjatë lagjes “Pavarësia” të cilat prej kohësh nuk pastrohen.