Mbyllet hapësira ajrore shqiptare, nuk gjendet dakordësi me kontrollorët
Hapësira ajrore shqiptare u mbyll të mërkurën e 7 prill pasi kontrrollorët e trafikut firmosën kontratën e paaftësisë në punë duke sjellë dhe pezullimin e fluturimeve nga Rinasi.
Situata e krijuar u bë shkak për anulimin e 13 fluturimeve të parashikuara për ditën e mërkurë.
“Nuk është grevë është paaftësi e përkohshme”
Ministrja e Infrasktrukturës dhe Energjisë u takua me kontrollorët e trafikut ajror, por biseda zgjati vetëm pak minuta dhe pjesëmarrësit dolën të irrituar.
Thonë se në takim nuk u gjet asnjë dakordësi
“Nuk pati asnjë dakordësi. U ndërpre nga ne pasi nuk pati asnjë lloj negociate”
Punonjësit e Albcontroll thonë se nuk do të rikthehen në punë nëse nuk plotësohen kërkesat për rikthimin në punë të kolegëve të shkarkuar një ditë më parë dhe shfuqizimin e vendimeve të bordit; rikthimin e pagës së plotë sipas kontratës kolektive dhe transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.
Ministrja Balluku u bëri thirrje kontrrollorëve të rikthehen në punë duke i kërcënuar me masa ndëshkimore.
“Kjo është situatë që futet në cënimin e sigurisë shqiptare dhe padyshim do të ketë marrje masash dhe ndëshkim. U bëj thirrje kontrollorëve të kthehen në detyrë” u shpreh Balluku.
Greva nxiti reagimin e Kryeministrit Edi Rama që akuzoi Presidentin Meta si një nga personat që ka nxitur bllokimin. Por kreu i shtetit paralajmëroi se përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit do t’ia jap nga Vlora. Ndërsa kreu i PD Basha është shprehur se pas pezullimit të punës në Rinas qëndron vetë kryeministri Rama.