Haaland autograf për arbitrin, plas polemika në Champions

Ndeshja Man. City-Dortmund dhuroi spetkakël dhe gola ku fundi i ndeshjes ishte vërtetë emocionues teksa ekipi i Guardiolës fitoi 2-1 në “Etihad” në çerekfinalen e parë.

Çështja e kualifikimit mbetet ende e hapur por debati që ka plasur nuk lidhet me aspektin teknik të ndeshjes por me atë që ndodhi në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes me protagonist Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez që dha assist për Reus, u thirr nga njëri prej arbitrave anësorë , rumuni Octavian Sovre i cili nxorri nga xhepi një fletë dhe kërkoi autograf nga talenti i verdhezinjve.

Gjithçka u kap nga telekamerat dhe menjëherë u bë virale e njëkohësisht edhe debat në rrjetet sociale. A mundet një arbiter anësor i një çerekfinaleje në Champions League t’i kërkojë autograf njërit prej protagonistëve në fushë të cilin e ka gjykuar vet?!

Për arbitrin ka kritika të forta pasi sigurisht duhet t’i qëndrojë fort linjës së asnjanësit në fushë siç është roli i një gjyqtari anësor por ndërkohë disa raste në fushë siç ishte penalltia e mohuar nga VAR për Cityn, goli i anuluar për Dortmundin janë bashkuar me polemikat e mësipërme duke krijuar aludime të forta për gjykimin e një ndeshjeje kaq delikate.