Briken Calja i jep dy medalje Shqipërisë në Europian

Mbrëmje pozitive për Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Moskë teksa Briken Calja merr 2 medalje, të argjendtë dhe bronzi, në shtytje dhe në dygarësh, në kategorinë për peshat deri në 73 kg.

Fillimisht sportisti ynë nisi garimin në shkëputje ku nuk u tregua në nivelin më të mire dhe u rendit i katërti dhe arriti të ngre vetëm 152 kg në provën e parë për të dështuar në të dytën me 157 kg ndërsa në të tretën që mund t’i jepte medalje po me 157 kg nuk pati sukses. Në këtë stil, Calja mund të merrte medaljen e bronzit por e penalizoi pesha trupore vetëm pak gramë më shumë se rivali tjetër bullgar i cili ngriti po njësoj se ai.

Ndryshe u paraqit Briken Calja në shtytje ku dështoi në proven e parë me 183 kg ndërsa u tregua i suksesshëm në të dytën me 184 kg. Prova e tretë që mund t’i jepte medalje ari në shtytje nuk shkoi siç duhet me 188 kg ku nuk arriti t’ia dilte. Garimi për të u mbyll me vendin e dytë në shtytje, ose më saktë Nënkampion Europë dhe në fund medalje bronzi në dygarësh me 336 kg të ngritura në total.

Mund të ishte një paraqitje më e mirë pasi pritej shumë nga peshëngritësi ynë që tani duhet të mjaftohet me këto medalje, argjendi dhe bronzi.

Tani shpresat për medalje ari mbeten te Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli te cili pritet të garojnë diten e nesërme në Moske.