BKH drejt formimit, kandidatët njihen me rezultatin, fituesit: Do realizojmë detyrën
Pas më shumë se gjashtë muajsh Byroja Kombëtare e Hetimit, ka gati grupin e parë të hetuesve të cilët do të nisin trajnimin për tu bërë zyrtarisht pjesë e saj. Nga e marta ndërkohë është hapur gara edhe për 32 vendet e tjera të mbetura vakante me të cilat do të plotësohet numri prej 60 kandidatësh, aq sa është edhe organika e hetuesve të kësaj strukture.
"Besoja se do të fitoja. Procesi ishte shumë i rregullt dhe korrekt.Gjithë konkurrentët kanë qenë të qartë për ecurinë e procesit në çdo fazë dhe në fund fituam".
Këta do të jenë efektivët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë arritur t`i kalojnë të gjitha fazat e testimit.
Të martën ata janë paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme, ku kanë marrë zarfet me përgjigjet ku shumë prej tyre e kanë kaluar me sukses, ndërsa 9 të tjerë u refuzuan.
Fituesit shprehen se e kanë ëndërruar të jenë pjesë e kësaj strukture, ndërsa zotohen se do të ndikojnë me punën e tyre në hetime të rëndësishme.
"Të them të drejtën e kam ëndërruar që i vogël që të punoja në një institucion të tillë dhe lavdi Zotit kam arritur diçka."
Pas kësaj faze 28 të parët do të nisin trajnimet ndërsa Prokuroria e Posaçme ka hapur garën për 32 të tjerët, të cilët do të plotësojnë strukturën.
Kandidati për Hetues, do të plotësoj dhe dorëzoj, sa më poshtë:
Kritere :
Plotësimi i aplikimit online në web i BKH-së, përfshirë një curriculum vitae elektronike dhe dokumentet mbështetëse. Për të plotësuar Formularin e Aplikimit, shkarkojeni, së bashku me shtojcën B, që gjendet në LINK 1;
Deklaratë me shkrim mbi motivimin për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Të jetë shtetas shqiptar;
Të gëzoj cilësi të larta profesionale dhe morale;
Të ketë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet/(Ekonomik, Teknologji e Informacionit, etj), ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj;
Të ketë një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
Të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, e vërtetuar me vërtetime nga organi prokurorisë dhe gjykata;
Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit dhe përpara momentit të aplikimit;
Vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij /saj profesionale, etike dhe integritetin moral;
Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
Të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme;
III. Testimet e përzgjedhjes.
Nëse vlerësohen si kandidatë të mundshëm, aplikantët do t’i nënshtrohen procesit të mëposhtëm të përzgjedhjes ( Testimet e përzgjedhjes, LINK 2, LINK3):
Një provim me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik;
Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit;
Një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë;
Një testim të aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike;
Dhënia e pëlqimit për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit të kandidatit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit merret në konsideratë gjatë procesit të emërimit.
Kontrolli i verifikimit të pasurisëdhe figurës;
Kandidati i pranuar do ti nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të çertifikohet. Pasi është çertifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.
Më 2 prill Byroja Kombëtare të Hetimit bëri të ditur se nga 37 kandidatë, 28 prej tyre kanë kaluar kushtet e sigurisë. BKH bëri të ditur se 9 kandidatë nuk i kalojnë kushtet e sigurisë.