Protesta e tretë për kafshët, qytetarët: Mungesa e reagimit zyrtar konfirmon akuzat tona
Videot e publikuara ne rrjetet sociale mbi keqtrajtimin dhe vrasjen e kafshëve kanë nxjerrë për të tretën ditë në protestë qytetare dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ata përsëritën apelin se kafshët nuk përbëjnë rrezikshmëri për shoqërine, ndaj kërkuan ndalimin e akteve të dhunimit dhe vrasjes së qenve apo kafshëve të tjera. Pjesëmarrësit thanë se do të dalin sërish në protestë, madje do të depozitojnë edhe një padi në SPAK.
Këto pamje të keqtrajtimit dhe vrasjes së kafshëve nxorën në protestë në ditën e tretë qytetarët dhe anëtaret e shoqërisë civile.
Mungesa e reagimit zyrtar nga Bashkia e Tiranës, sipas tyre fakton se akuzat për dhunimin e vrasjen e kafshëve janë të vërteta.
"Të dalë e presim, ne do të vazhdojmë. Por edhe po doli çfarë do të thotë?"
"Këtu krimi nuk është thjesht i Drejtoreshës apo veterinerit, këtu krimi fillon që lart. Peshku qelbet që nga koka."
"Sa më shpejt një reagim nga organet përkatëse."
Përpara Bashkisë, protestuesit kërkuan njëzëri krijimin e një tjetër qendre strehimi për kafshët, pasi ajo aktuale promovon keqtrajtim e tyre.
"Ne jemi dëshmitarë çdo ditë të keqtrajtimit, të zhdukjes së kafshëve."
"Heshtja tregon pohim, shkurt."
Çështja do të ndiqet dhe në rrugë ligjore pasi në ditët e ardhshme është paralajmëruar edhe ngritja e nje padie në SPAK.
"Ndoshta mund të mos vazhdojmë këto 2-3 ditë sepse po merremi me çështjen ligjore."
Duke përsëritur apelin se kafshët nuk janë të rrezikshme, protestuesit thanë se janë dakord me gjobitjen e atyre që nuk respektojnë rregullat.
"Ne po protestojmë që këta individë të papërgjegjshëm të dënohen me gjobë. Edhe rrugës që bëhen kope është përgjegjësi e bashkive që i degdisin sa në një qytet në një qytet tjetër."
Pjesëmarrësit paralajmëruan se do të protestojnë edhe në ditët në vijim derisa çështja të marrë zgjidhje.