Turqia "provokon" Greqinë në Egje, anija e Gardës bregdetare turke manovra përballë patrullës greke
Greqia mendon se Turqia po nxit përshkallëzimin e konfliktit në Detin Egje, duke shfrytëzuar krizën e emigracionit. Ankaraja, ndërkohë, ka fajësuar më herët Athinën për keqtrajtim të emigrantëve që shkojnë atje nëpërmjet detit.
Greqia akuzon Turqinë se po e provokon në ujërat e saj territoriale dhe se po inkurajon emigrantët të hyjnë pa leje në territorin grek.
Garda Bregdetare Helene raportoi të premten disa incidente afër ishullit Lesbos, zonë e cila shihet si rrugë ilegale për ardhjen në Europë.
Në një rast, patrulla turke iu afruan rrezikshëm mjetit të gardës greke, ndërsa në dy momente të tjera, pala turke shoqëroi ose i shtyu anijet e vogla me azilkërkues drejt territorit grek.
Notis Mitarachi: "Nuk ka dyshime se emigrantët u nisën nga brigjet turke dhe duke qenë se mbështeteshin nga Turqia, nuk ishin në rrezik. I bëjmë thirrje Turqisë t'i ndalë provokimet e pajustifikuara, t'i marrë mbrapsht këta emigrantë dhe të respektojë paktin për emigracionin që ka me BE-në që nga viti 2016," deklaroi ministri grek për Emigrim dhe Azil."
Ankaraja nuk reagoi, por muajin e kaluar akuzoi se shtë Athina që po i keqtrajton emigrantët.
Sipas Turqisë, të paktën 7 prej tyre u shpëtuan pasi ishin goditur dhe ishin hedhur në Detin Egje nga rojat bregdetare greke, me duar të prangosura dhe pa jelekë shpëtimi.
Tre të tjerë nuk mbijetuan dot.
Me një marrëveshje të vitit 2016, Turqia po strehon mbi 3 milionë e gjysmë refugjatë sirianë, në këmbim të miliarda eurove ndihma që Ankaraja thotë se nuk po i merr nga BE-ja.