Dritan Abazoviç: Në Srebrenicë ndodhi gjenocid. Kush nuk e kupton nuk ka vend në pozita shtetërore
Në Mal të Zi ka shkaktuar polemika deklarata e ministrit të Drejtësisë për gjenocidin në Srebrenicë në vitet '90. Zv.kryeministri, Dritan Abazoviç, thotë se krimet e shkuara nuk duhen mohuar ndërsa ndërkombëtarët kërkojnë që ato as të mos relativizohen.
Masakra e Srebrenicës dhe persekutimi i myslimanëve të Bosnjës nga forcat jugosllave janë konsideruar akte gjenocidale nga Gjykata e Hagës, por debati ende vazhdon në Mal të Zi.
Ministri i Drejtësisë dhe i Pakicave, Vladimir Leposaviç, tha këtë javë se nuk është në dijeni të ngjarjeve, ndaj nuk mund të shprehej as pro dhe as kundër idesë së gjenocidit.
Reagimet ndaj deklaratës së tij ishin të forta, nga komuniteti lokal e ndërkombëtar.
Të martën me kritikët u rreshtua zv.kryeministri shqiptaro-malazez, Dritan Abazoviç.
"Në Srebrenicë ndodhi një gjenocid. Kush nuk e kupton këtë, nuk ka vend në pozitat shtetërore," shkroi Abazoviç.
Bashkimi Europian dhe ambasada amerikane në Podgoricë kërkuan po ashtu të hënën që të mos relativizohen e as të mohohen viktimat e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Ndërsa kryeministri malazez i afërt me Serbinë, Zdravko Krivokapiç, mbajti një qëndrim asnjanës për temën.
"Qeveria malazeze as nuk do e as nuk mund të ndryshojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare, por as nuk mund t'i shpallë disa kombe gjenocidale dhe të tjerët të shenjtë, sepse kjo është në kundërshtim me parimin që krimet janë individuale," theksoi Krivokapiç me një deklaratë.
Masakra në Srebrenicë në korrik të vitit 1995 konsiderohet ndër vrasjet masive më të rënda në Europë, ku mbi 8 mijë burra e djem myslimanë ranë viktima të ushtrisë serbo-boshnjake nën komandën e Ratko Mladiçit dhe presidentit serbo-boshnjak, Radovan Karaxhiç.