Vaksinohet kryeministri Kurti, merr dozën e parë të “AstraZenecas”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori këtë të hënë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.

Shefi i qeverisë së Kosovës vaksinua me AstraZeneca në Sallën 1 Tetori në Prishtinë.

“Nuk jam këtu për privilegje, por të jap mesazhin dhe t’i inkurajoj ata që të vaksinohen”, tha Kurti pas vaksinimit.

AstraZeneca, si shumica e vaksinave të zhvilluara në Perëndim, jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Mbrëmje e të dielës, Kosova pranoi 24,000 doza të kësaj vaksine.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Fushata e vaksinimit në Kosovë pritet të nisë të martën.

Prej fillimit të pandemisë, Kosova ka regjistruar 88,755 të infektuar me Covid,  prej tyre 1,844 pacientë kanë vdekur dhe 73,318 janë shëruar.