Haradinaj: Kurti dhe Osmani nuk kërkuan bashkëpunim për çështjen e presidentit
Pas konfirmimit të LDK-së se do të marrë pjesë në seancën për votimin e Vjosa Osmanit si Presidente, pritet vetëm mbajtja e seancës së jashtëzakonshme duke nisur nga e premtja. PDK-ja dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt e kushtëzojnë pjesëmarrjen për arsye politike.
Vjosa Osmani e ka të lirë rrugën për t'u votuar si presidentja e ardhshme e Kosovës, post që ajo e mbajti përkohësisht për mbi 4 muaj.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi të martën se deputetët e tij do të jenë në seancë kur kandidatura e Osmanit të hidhet për votim.
Me 15 votat e LDK-së dhe 58 votat e Lëvizjes Vetëvendosje që ka pushtetin, krijohet kuorumi i kërkuar me ligj.
Edhe partitë e minoritetit kanë thënë se nuk do e kushtëzojnë pjesëmarrjen.
Dy partitë e tjera opozitare, ndërkaq, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do e mbështetin Osmanin.
Shefi i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në takimet e tij me kryeministrin Albin Kurti dhe Osmanin, palët nuk gjetën dakordësi.
“Ata nuk kanë kërkuar prej neve bashkëpunim, vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente. E pash një njoftim se LDK e ka një vendim të tillë, kjo është një marrëdhënie e re në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, por sa i përket Aleancë – Vetëvendosje nuk ka ndryshuar asgjë," tha Haradinaj.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani rezultoi kandidatja më e votuar për në parlament, duke fituar mbi 300 mijë vota.
Seanca për votimin si presidente ende nuk është caktuar por përgjatë votimit, Osmanit do i duhen 80 nga 120 vota gjithsej, përndryshe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme 45 ditë nga raundi i tretë dhe i fundit.