Macron letër Kurtit: Të mirëpres së shpejti në Paris, vazhdoni dialogun me Serbinë
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, e sheh zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi si një sfidë madhore që qeveria kosovare duhet ta përballë, pavarësisht se nuk e ka atë prioritet të vetin.
Në një letër për Albin Kurti me rastin e marrjes së kryeministrisë, Macron kujtoi se tryezat politike që ai ndihmoi të mbahen vitin e kaluar janë në interesin e Prishtinës dhe të Beogradit.
"Shpresoj që ju do ta vazhdoni këtë dialog, në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin europian të Kosovës, sikurse të Serbisë."
Presidenti Makron u tregua i gatshëm ta diskutojë çështjen me Kurtin në Paris, njësoj siç veproi me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, dy muaj më parë.
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se dialogun me Beogradin, ai do ta vazhdojë nëse përmbushen katër parime bazë: të pranohet Kosova e pavarur, të pranohet gjenocidi serb, palët të ulen në tryeza si të barabarta dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët.
Të enjten, presidenti Vuçiç tha se përgjigjja e Serbisë për temën e Kosovës së pavarur nuk ka ndryshuar, dhe se poshtërimi i serbëve nuk ka për t’i sjellë stabilitet Ballkanit Perëndimor.