Dakordësohen dy partitë e mëdha, regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut shtyhet për në shtator
Dy partitë kryesore maqedonase, LSDM dge VMRO-DPMNE kanë rënë dakord për të shtyrë në shtator procesin e regjistrimit të popullsisë.
Lajmin e bëri me dije lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev.
Sipas marrëveshjes regjistrimi në terren pritet të realizohet nga 5 deri në 30 shtator, ndërsa aplikacioni për regjistrimin e diasporës mbetet aktiv deri atëherë.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, planifikohet që të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit.
“Takimi i sotëm është pozitiv dhe i suksesshëm. Kemi lënë hapësirë edhe për takime tjera”, tha mes tjerash Hristijan Mickoski.
Në takimin e sotëm është biseduar edhe për ndryshime në Kodit Zgjedhor.
Grupet e punës për Kodin Zgjedhor në Kuvend do të inkurajohen për të bëre ndryshimet e nevojshme për terminalet e shenjave të gishtave, për ndryshime e modelit ne një njësi zgjedhore, për lista te hapura për këshilltare komunash, për zgjedhjen e kryetareve te komunave në një rreth zgjedhor.
Liderët kanë rënë dakord edhe për punën në Kuvend, respektivisht VMRO-ja është dakorduar të bashkëpunoje me shumicën për ligjet qe kane te bëjnë me euro-integrimet dhe ligjet për menaxhimin e krizës me pandeminë.
Ndërsa kryeministri Zoran Zaev tha se të mërkurën do të takohet edhe përfaqësuesit e partive tjera.