Lista Serbe dërgon në Kushtetuese Qeverinë Kurti 2, kërkon një tjetër Ministri
Lista Serbe paraqiti të hënën një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për, siç tha, mbrojtjen e interesave të popullit serb.
Ankesa u paraqit në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane.
Në njoftimin për media thuhet se ankesa “sfidon vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri nën menaxhim, edhe pse duheshin dy”.
“Sot, Lista Serbe paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane me qëllim që të mbrojë interesat e popullit Serb.
Ankesa e kundërshton vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, 22 Mars 2021, ku vetëm një ministri iu dha popullit Serb për ta menaxhuar, megjithëse sipas Kushtetutës, ishte e obliguar për t’i dhënë dy.
Lista Serbe pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues, duke respektuar të drejtat dhe interesat e popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë. Theksojmë se vendimi për të mohuar përfaqësimin e drejtë të serbëve në institucionet në nivelin qendror është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore.
Theksojmë se nuk na duhen pozitat ministrore, vetëm për hir të atyre pozitave, por si një mjet për të përmirësuar kushtet në të cilat jetojnë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Në përbërjen e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për Listën Serbe është ndarë Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Kushtetuta e Kosovës parashikon një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë.
Nëse Qeveria ka më shumë se 12 ministri, siç është rasti me kabinetin e ri, Kushtetuta e Kosovës thotë se ajo duhet të ketë një ministër të tretë për të përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë.
Përveç ministrit nga komuniteti serb, Qeveria e re e Kosovës ka dy ministra nga komunitetet e tjera joshumicë.
Ministër për Zhvillim Rajonal është Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministër i Administrimit të Pushteti Lokal është Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian.
Emilija Rexhepi, nga komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut.