Mbërrijnë 24 mijë vaksinat e para në Kosovë, Kurti: Kontingjent i vogël por ngjall shpresë të madhe për jetën e njerëzve

Kosova ka siguruar 24 mijë dozat e para të vaksinave anticovid, falë programit "COVAX".

Prodhimet e kompanisë anglo-suedeze, "AstraZeneca", mbërritën të dielën në Prishtinë, dhe janë pjesë e një kontingjenti prej 100 mijë dozash që kompania do i garantojë vendit.

Rreth 11 mijë doza do i dedikohen punonjësve shëndetësore dhe më të moshuarve në fazën e parë, për të vijuar gradualisht me dy fazat e tjera dhe me vaksinimin e 70 për qind të popullatës.

Kryeministri Albin Kurti kërkoi që imunizimi të fillojë menjëherë.

"Është një kontingjent i vogël por ngjall shpresë të madhe, për fillimin e shpëtimit të njerëzve. Secila jetë është e çmuar, prandaj më shumë se kurrë bota ka nevojë për solidaritet, deri tash e keni mësuar që virusi nuk njeh kufij. Prandaj më lejoni të falënderoj aleancën Covax," u shpreh Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e quajti të rëndësishme ardhjen e vaksinave, duke pasur parasysh numrin e lartë të personave të prekur me sëmundjen e rrezikshme infektive.

Vitia tha se imunizimi i popullatës është hapi i radhës, por kujdesi i qytetarëve dhe respektimi rigoroz i masave duhet të jetë i vazhdueshëm.

“Duhet ta bëjmë këtë për vete e të tjerët, shokët e shoqet, kolegët e koleget, mësuesit, forcat e rendit, mjekët, prindërit e gjyshërit, motrat e vëllezërit, fëmijët tanë që mund t’i humbasim nga pakujdesia jonë," tha Vitia.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të marrë 650 mijë doza shtesë nga vaksinat "Pfizer" nga Bashkimi Europian, në ditët e ardhshme.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Rikardo Seri, tha se Brukseli është në krah të vendit.

“Komuniteti ndërkombëtar në Prishtinë dhe Kosovë ka kaluar nëpër pandemi së bashku me popullin e Kosovës dhe kemi ndarë kohën e dhimbjes me të. Sot, një vit më vonë, shënon një fillim të fundit të kovidit-19 në Kosovë," u shpreh Seri.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ekipi i të cilit ndërmjetësoi ardhjen e vaksinave, i kërkoi qeverisë së re t'i përmbahet strategjisë dhe prioriteteve të vaksinimit.

Nga 13 marsi i vitit 2020, kur edhe u shfaqën raste e para pozitive, në Kosovë janë infektuar me COVID-19, rreth 90 qytetarë, ndërsa 1,800 persona nuk i mbijetuan dot virusit vdekjeprurës.