Shqiptarëve u mohohet shtetësia, deputetja: Nëna ime 72 vjeç për të disatën herë në test për gjuhën maqedonase
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë komb shtetformues por nuk trajtohen si të tillë.
Deputetja shqiptare nga Partia Alternativa, Safije Sadiki Shaini, sjell shembullin e nënës së saj, e cila në moshën 72 vjeçare po i nënshtrohet për të disatën herë provimit të gjuhës maqedonase me shpresën për të marrë shtetësinë.
Si nëna e saj, shumë nëna të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballen me një shtet diskriminues vetëm sepse janë shqiptare, asgjë tjetër.
Postimi i plotë
Sot nëna ime 72-vjeçare po i nënshtrohet për të satën herë provimit të njohjes së gjuhës maqedonase, me shpresë që kësaj radhe ta marrë shtetësinë.
50 vjet (gjysmë shekulli) e bën këtë betejë.
Pas kësaj moshe mund të mos i shërbejë më, por e postova këtë fotografi dhe këtë tekst që ta kuptoni betejën tonë në Kuvend.
Nëna shqiptare në Maqedoninë e Veriut përballet me një shtet diskriminues vetëm sepse është shqiptare. Asgjë tjetër.
Mbase tash e kuptojmë edhe se nuk është asgjë vonesa 1-mujore e një asistence ekonomike përballë gjysmë shekulli pritje.
"Procesi" vazhdon njësoj si te Kafka. Parashteti vendos për shtetin.
Prandaj, o SHTETësi për të gjithë o SHTET të bllokuar për të gjithë.