Skandali me Qendrën Shëndetësore në Qenam, një rrënojë dhe objekt për përhapjen e infeksioneve

Në fshatin Qenam, 12 kilometër larg Tiranës, Qendra Shëndetësore ka pamjen e një gërmadhe tërmeti. Nga brenda duket si objekt i një zone lufte të goditur nga kriza humanitare. Atje shkojne banorët për tu vizituar. Shkolla e fshatit është në gjendje edhe më dramatike.   

Kjo është Qendra Shëndetësore e fshatit Qenam. Janë 820 banorë që detyrohen të marrin shërbimin mjekësor në këtë Qendër. Kushtet në të cilat ndodhet ajo flasin vetë.

Pa ujë, pa dyer e dritare, e muret e çara gati në të rënë. Në këto kushte u ofrohet shërbim banorëve të Qenamit.

Edhe nëse nuk ke Covid, aty është një burim infeksionesh, e mund të sëmuresh edhe më rëndë nëse shkon për vizitë.

Por kjo Qendër Shëndetësore nuk është në axhendën e bashkisë së Tiranës, edhe pse Qenami ndodhet vetëm 12 kilometer larg qendrës së kryeqytetit. 

Nuk dihet pse këta banorë janë diskriminuar.

"Po punohet me të njëjtën cilësi kudo, pa diskriminuar askënd" thotë ndërkohë Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj i ka harruarr edhe fëmijët e fshatit, të cilët zhvillojnë mësimin në shkollën me kushte edhe më mjerane se sa Qendra Shëndetësore.

"Jo çdo gjë në sheshin "Skënderbej". Kush mendonte se nuk do të bënim kënde lodrash, kemi bërë 75 të tillë."

Fëmijët e shkollës 9-vjeçare Qenam jo vetëm që nuk kanë kushte të përshtatshme për të zhvilluar mësimin por fusha e tyre sportive është oborri i shkollës i paasfaltuar. 

Në kohë të ngrohtë mbyten nga pluhuri dhe në  rast reshjesh nga balta.

"Bëhemi gjithë pluhur, nuk mund të luajmë këtu. Na ndërtoni një shkollë të re dhe të një fushë sportive."

"Kush mendon se ne ndryshe i bëjmë gjërat me cilësi në Bllok dhe ndryshe në periferi duhet të vijnë në Laprakë" thotë Veliaj.

Për të parë ndryshimin duhet të shkojmë të gjithë në Laprakë. Madje edhe banorët e Qenamit.