Detaje të reja nga arrestimi i Çapjas, Qyno: Në pranga dhe 'ushtari' i tij. U kap me drogë dhe kallash

Ardjan Çapja, 53-vjeç, një prej emrave të njohur të kronikës në Elbasan, u arrestua ditën e sotme nga Forcat RENEA, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij Florenc Çapja.

Ata dyshohet se janë organizatorë dhe financues të vrasjes së Gentian Beqirit, në atë kohë 35 vjeç, i cili akuzohej për ekzekutimin e biznesmenit Sokol Çapja, vëllai i Ardian Capjes, ngjarje e ndodhur në vitin 2005.

Nëntë vite pas krimit, prokuroria e Elbasanit ka ngritur ndaj Ardian e Florenc Çapjas akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim dhe ka nxjerrë urdhër ndalimi për dy personat e konsideruar me rrezikshmëri të lartë.

Për të folur mbi këtë temë, i ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News ishte gazetari i njohur i kronikës Elton Qyno.

Sipas Qynos, gjithçka lidhet me vrasjen e gushtit 2012, krim për të cilin dyshohen si autorë dhe organizatorë 6 persona, me Ardjan Çapjan në krye.

"Është një ngjarje që ka ndodhur në 15 gusht 2012 dhe është hetuar dhe pezulluar disa herë dhe është rihetuar duke u finalizuar me arrestimin e personave që kanë marrë pjesë në vrasjen e babë e bir.

Është një krim që ka ndodhur në ambjentet e shtëpisë ku jetonte Gentian dhe Nezir Beqiri dhe në këto kushte janë siguruar prova bindëse dhe domethënëse që tregojnë se autorët e këtij krimi të rëndë janë 6 persona: Elvis Bardhi, Etjen Cani, Jorgo Leku, Klajdi Dokoli dhe Ardjan Çapja sot, që konsiderohet personi kryesor i familjes Çapja dhe këtij grupi kriminal që vepron në qytetin e Elbasanit. Ndërsa personi i gjashtë është Florenc Çapja i cili nuk është mundur të arrestohet edhe pse ka një mandat arresti nga Gjykata e Elbasanit".

Gazetari i kronikës shtoi se, pas kontrolleve të kryera, rezulton se Florenc Çapja ka dalë nga territori i Shqipërisë para se të bëhej operacioni nga RENEA.

Por Qyno dha edhe një tjetër detaj shumë interesant, atë të arrestimit edhe të një personi tjetër, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se ishte roja i familjes Çapja.

"Sot është arrestuar edhe një tjetër person por ende nuk kemi marrë informacione se kush është emri i tij. Nga të dhënat që kam unë është një ushtar i familjes Çapja. Ishte roja i Ardjan Çapjas, rrinte te banesa e tij. Ai është kapur me një sasi lënde narkotike, madje edhe duke konsumuar. Dhe me një kallashnikov pa leje, me të cilin bënte roje pranë banesës së Ardjan Çapjas", tregoi gazetari i Ora News Elton Qyno.

Arrestimi i bujshëm vjen në një kohë kur fushata elektorale ka nisur zyrtarisht dhe Elbasani mbetet një nga zonat më të nxehta të betejës politike.

Lexo edhe: Vrasja babë e bir në Elbasan, RENEA arreston Ardian Çapjan dhe shpall në kërkim Florenc Çapjan