Inerte dhe plehra në Lanë, eksperti: Nuk është lumë por kolektor dhe vendgrumbullim për mbetjet

Përveç ujërave të zeza që derdhen në lumin që përshkon kryeqytetin, të cilat sipas ekspertëve janë pa filtrim, një tjetër problem për shëndetin e banorëve janë dhe plehrat që hidhen aty. Me e rrezikshme është zona e Astirit, ku Lana është shndërruar në një vendgrumbullim për intertet.

Rehabilitimi i lumit të Tiranës është një projekt i cili ka nisur prej vitesh, por në zonën e Astirit pamja është e tillë.

Prej shumë vitesh, Lana e ka humbur emërtimin e saj si lumë pasi në të shkarkohen ujëra të zeza dhe mbeturina.

"Mund ti themi përrua por Lana është një kolektor i ujërave të përdorura të zonës urbane të Tiranës. Nëse do të shkoni në burimin e Lanës, është uji i pijshëm dhe i një cilësie të mirë. Shkakton një ndotje mjedisore kur bashkohet me pellgun e Ishmit që zyrtarisht është dhe lumi më i ndotur në gjithë rajonin."

Ndotja përgjatë rrjedhës së saj si dhe grumbullimi i ujërave te zeza përbëjnë rrezik për përhapjen e sëmundjeve.

"Ngarkesa mikrobike që ka duke qenë se janë ujëra të përdorura, të tualeteve, mund të përbëjë edhe problem të sëmundshmërive deri në përmasa të epidemive."

Pavarësisht se janë zhvilluar disa projekte për rehabilitimin e saj, ato më shumë prekin infrastrukturën rreth saj sesa cilësinë e ujit.

"Këto rehabilitime nuk konsistojnë në përmirësimin e cilësisë së ujërave, rehabilitimi ka të bëjë me stabizilimin e shtratit, vendosjen e barrierave mbrojtëse, gjelbërimin."

Në zonën e Astirit mungojnë të dy këto komponentë.

Siç mund ta shihni dhe në video, ajo është e mbushur me mbeturina dhe inerte.

Kjo situatë vijon prej më shumë se 10 vitesh dhe është një shqetësim për banorët e zonës përreth.