Zgjedhjet e 25 prillit, PS propozon fletën e votimit të Kosovës

Socialistët propozojnë që me 25 prill qytetarëve tu paraqitet e njëjta fletë votimi si në Kosovë.

Ata thonë se ky model i përshtatet më shumë ndryshimeve të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, i cili saktëson që në këto zgjedhje të votohet edhe për partinë edhe për kandidatin.

Taulant Balla, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, e ndau këtë ide me Urszula Gacek, drejtuese e misionit të ODIHR në Shqipëri.

Ai thotë se në këtë mënyrë qartësohen dhe partitë e vogla që nuk kanë komisionerë në zgjedhje për të ndjekur procesin.

“Një fletë votimi sa më të thjeshtë që të reduktojë çdo lloj mundësie për votë të pavlefshme. Modeli i fletës së votimit të Kosovës ishte perfekt. Fleta e votimit të jetë e përshtatshme për tu skanuar”

Ndërkohë Partia Demokratike ka propozuar më herët këtë fletë votimi.

Poshtë partive renditen kandidatët. Për Taulant Ballën hyrja e PD me 222 emra ndërlikon procesin e votimit.

"Historia që PD krijoi me numrin e pafund të kandidatëve krijoi vonesa të pakuptimta, ndërkohë që matematika është e qartë se nuk ka kuptim që LSI e kupton Kodin Zgjedhor si ne dhe PD ndryshe".

Modelet e propozuara nga partitë politike vlerësohen nga Komisoni Zgjedhor, i cili ka të drejtën e vendimmarrjes.