"Nuk dalim të gjallë nga pallati!" 90 familje në protestë, Bashkia ndryshoi shkallën e dëmtimit nga DS3 në DS5
90 familje në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë dolën në protestë duke akuzuar bashkinë e Tiranës se po tenton të shembë pallatin ku jetojnë duke i lënë pa shtëpi. Sipas tyre, Bashkia e kryeqytetit në mënyrë jo transparente ka marrë vendimin për ta shembur pallatin, i cili në dhjetor 2019 është vlerësuar pa dëmtime në strukturë. Për ti hapur rrugë planit të shembjes, Bashkia ka ndryshuar më pas vlerësimin për objektin nga DS3 në DS5, por banorët pretendojnë se pas këtij vendimi fshihen interesa korruptive.
Në shtëpinë e Fatmirit tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 ka lënë gjurmë të lehta.
Ndërsa muret e banesës së Gjyles kanë pësuar më tepër dëmtime.
Të dy banojnë në pallatin numër 4 në rrugën "Myslym Keta" në kryeqytet.
Në dhjetor të vitit 2019 pas inspektimeve nga Instituti i Ndërtimit, shtëpitë e tyre u cilësuan të banueshme dhe pa dëmtime në strukturë.
Por pas një viti e 3 muaj në mënyrë të beftë dhe të çuditshme shkalla e dëmtimit ka ndryshuar nga DS3 në DS5 dhe mbi këtë bazë Bashkia Tiranë ka marrë vendimin për të prishur pallatet ku banojnë 90 familje.
Pikërisht kjo vendimmarrje e 1 marsit të vitit 2021, marrë në mënyrë të fshehtë dhe pa transparencë i ka nxjerrë ata në protestë.
"Letrat na i kanë dhënë për DS3, ku u bë për tu shembur? Pse na lanë 1 vit e gjysmë këtu me vdek?"
"Unë jam ndërtues i këtij pallati, është në gjendje shumë të mirë teknike, nuk është për tu prishur. Një vendim kriminal, si mund të prishet dhe 90 familje ti nxjerrë në rrugë?"
"Prapa pallatti do të bëhet rrotonto e Unazës së Tiranës dhe në këtë territor na kanë thënë se do të bëhen komplekse të tjera priva pallatesh apo dhe një Qendër Tregtare për zonën e veriut."
Banorët kërkojnë që pallati i ndërtuar në vitin 1991 të inspektohet nga ekspertë të pavarur.
"Kërkojmë të ribëhet akti i ekspertimit, të ketë përfaqësues dhe nga banorët. Nëse akti i ekspertimit tjetër thotë që ky pallat realisht do të duhet të prishet jemi të parët që do të ikim sepse nuk mund të rrezikojmë."
Thonë se shtëpitë janë investimi i jetës së tyre ndaj do t`i mbrojnë deri në fund.
"Kemi derdhur djersën dhe gjakun e gjithë jetës sonë, jemi të gjithë në moshë 60 e kusur vjeç, nuk kemi fuqi ne të merremi edhe njëherë me këtë."
"I kemi bërë me gjak dhe me gjak do ti mbrojmë, të gjallë nuk dalim nga ky pallat."
Kryetari i Bashkisë Tiranë është shprehur në media se banorët do të zhvendosen në lagjen "5 Maji", por deri më sot asnjë përfaqësues i këtij institucioni nuk ka marrë guximin të përballet me banorët dhe t`i informojë ata nga afër lidhur me këtë vendim që rrezikon t`i lërë pa çati mbi kokë.