Zbardhet dëshmia e të penduarit, Çapjat e porositën në Krrabë ekzekutimin e Gentjan dhe Nezir Beqirit
Prokuroria ka mundur të zbardhë pas nëntë vitesh vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit në Elbasan. Ka qenë dëshmia e Ervis Bardhit që ka hedhur dritë mbi takimin me Çapjan në Krrabë por dhe mbi rrugën që ndoqën për ekzekutimin në gusht të vitit 2012.
Vrasja e Gentjan dhe Nezir Beqirit në Elbasan është organizuar një muaj para ekzekutimit në banesën e tyre me 15 gusht të vitit 2012.
Për ngjarjen janë arrestuar Ervis Bardhi dhe Olsi Leka.
Prokuroria ka mundur të zbardhë ngjarjen nga dëshmia e Ervis Bardhit, i cili ka pranuar se në kohën kur u realizua vrasja kishin marrë një banesë me qira në rrugën “7 Marsi”, në qytetin e Elbasanit.
Madje ai ka pranuar se vizitat e Ervisit në banesën e mikut të tij, Gentjan Beqiri, që ndodhej në “arrest shtëpie”, ishin bërë më të rralla.
Në dokumentet e prokurorisë thuhet se Olsi Leka i ka kërkuar Ervisit të shkonin në Tiranë dhe rrugës do të takonin Ardian Çapjan.
Në Krrabë, në vendin ku rruga është e drejtë, në afërsi të fshatit Gracen, ata kanë vënë re një mjet fuoristradë me ngjyrë të zezë, të parkuar në anën e rrugës.
Prej tij kanë zbritur Ardian Çapja, i cili ka qenë i armatosur, dhe Florenc Çapja.
Lexo edhe-RENEA arreston Ardian Çapjan dhe shpall në kërkim Florenc Çapjan
Pasi janë takuar, Ardiani ka kërkuar të dije se cili do të ngjitej në banesën e Gentjan Beqirit për të kryer vrasjen.
Rezulton se Olsi leka është shprehur se do të shkonin së bashku me Visin.
Por ky i fundit duket se nuk ka pasur informacion për atë se çfarë po ndodhte.
Ndaj dhe Ardjan Çapja ia ka ngarkuar porosinë Olsi Lekës, por duke shtuar se do të ishte mirë që vrasjen ta kryente Visi, duke shtuar se e dinte që Olsi e mbaronte këtë detyrë.
Sipas materialeve të akuzës, pas kësaj, biseda mes Olsi Lekës dhe Ardian Çapjas është përqendruar për një sasi lënde narkotike prej 300 kg, e cila ndodhej në Holandë, ku edhe mund të shkonin me qëllim që ta vidhnin.
Pasi janë ndarë, Ervis Bardhi së bashku me shtetasin Olsi Leka janë drejtuar për në Tiranë dhe kanë qëndruar te banesa e vjehrrit të Olsit, e cila ndodhej në Kombinat.
Prej këtij takimi në Krrabë, Ervis Bardhi nuk është takuar më me Ardian Çapjan dhe Florenc Çapjan, pasi takimet me ta vijonte ti mbante Olsi Leka.
Ky i fundit ndodhet i arrestuar në Greqi, dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku do përballet me akuzën vrasjes së babë e bir, në 15 gusht të 2012 në Elbasan.
Për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, janë arrestuar 5 persona, Ervis Bardhi, Etien Cani, Olsi Leka, Klajdi Dokoli dhe Ardjan Çapja.
Ndërsa është shpallur në kërkim Florenc Çapja, i cili ndodhet jashtë shtetit.