Momenti i fundit i Arjan Salës, vrapon drejt magazinës të shpëtojë punonjësit, trupi do prehet në Varrezat e Dëshmorëve

Qytetarë të shumtë por edhe personalitete shtetërore e politike kanë ngushëlluar familjen e të riut, Arjan Sala, që humbi jetën në vatrën e zjarrit në Tiranë pak ditë më parë. 32-vjeçari është shpallur Dëshmor i Atdheut, ndërsa qeveria i caktoi familjes edhe një ndihmë financiare. I vëllai dhe xhaxhai i të ndjerit, shprehen mirenjohës për qytetarët që i janë gjendur pranë këto ditë, por edhe gjatë kohës kur trupi i Arjanit ende nuk ishte gjetur në vatrën e zjarrit.

Ky është momenti kur Arjan Sala futet brenda magazinës për të shpëtuar kolegët e tij pas rënies së zjarrit.

Pasi i nxori të gjithë nga vatra e rrezikut, 32-vjeçari nuk mundi të dalë vetë. Ngjarja u regjistrua me 24 mars 2021.

Babai dhe familjarët e tjerë prisnin para magazinës për një lajm por trupi i tij u gjet dhe u nxor mëngjesin e të shtunës, 27 orë pasi kishte ndodhur ngjarja.

Po atë dite ai u përcoll për në banesën e fundit, ndërsa të hënën familja Sala priti për ngushëllime kryeministrin Rama, i cili u dorëzoi edhe certifikatën Dëshmor i Atdheut.

https://youtu.be/D7W2RMipZzQ


Lexo dhe: “Djali kërkon babin” momentet e dhimbjes në familjen e Arjan Salës, i shkon dhe Rama

Pas marrjes së titullit, Naim Sala, xhaxhai i Arjanit u shpreh se kjo mirënjohje ia lehtëson sadopak dhimbjen familjes.

"U dorëzua certifikata Dëshmor i Atdheut dhe mendoj se ishte më e mira e mundshme që të na lehtësojë pak dhimbjen. Sa të qanin shumë nëna, qan vetëm një nënë sot, sa të qanin shumë baballarë, qan vetëm një baba sot. Dhimbjen do ta mbajmë sot."

Me zërin e dridhur dhe lot në sy, Edmondi, vëllai i 32-vjeçarit flet për aktin humanist të Arjanit.

"Dhimbja është shumë e madhe, këtë titull nuk do ta heq kurrë nga zemra. Ju falenderoj të gjithëve për të gjithë mbështetjen që na keni dhënë."

Me statusin e dhënë nga strukturat shtetërore, familja ka rënë dakord që trupi i Arjan Salës të prehet në Varrezat e Dëshmorëve, ndërkohë që në orët e mbrëmjes, Këshilli i Ministrave publikoi një vendim ku cakton 1 milion lekë ndihmë financiare për familjen e të riut.

Akti i Arjan Salës do të mbahet mend gjatë, pasi ai me 24 mars shpëtoi kolegët dhe punonjësit e magazinës ndërsa vetë nuk ia doli.