Durrës/ Babë e bir kapen për 1.3 kg kokainë "London", ishte e fshehur në kroskotin e makinës

Një sasi prej 1.3 kilogram kokainë u kapën nga policia e Durrësit në një aksion anti drogë ku u vunë në pranga tre persona.

Të arrestuarit janë babë e bir Latif dhe Leonard Lozi, dhe Akil Bunaj.

Ata u kapën në aksin rrugor, Tapizë Fushë Krujë, ku policia u kishte bërë pritë pasi kishte informacion se ata do të transportonin drogën me një makinë.

Kokaina ishte mbështjellë me mbishkrim “London” dhe u gjet e fshehur në kroskotin e mjetit.

Dyshimet janë se droga do të transportohej drejt kryeqytetit, por ende mbetet e paqartë nësë ajo do të tentohej të shitej në tregun shqiptar të narkotikëve apo do të tentohej të trafikohej drejt vendeve të BE.

Policia thotë se po vijon punën për të identifikuar e arrestuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë me tentativë e trafikimit të kokainës.

Ndërkohë një 36 vjecar u arrestua në Fier pasi kishte shndërruar një lokal në pikë shitje të kanabis sativës.

Elton Durajt iu kapën aty 1 kg e 140 gram fara kanabisi të cilat synonte ti shiste për kultivim dhe  650 gram lëndë narkotike e gatshme për tu shpërndarë.

Policia thotë se kishte marrrë informacion për këtë veprimtari dhe e ka mbajtur të riun për du muaj nën vëzhgim, derisa vendosën ta vënë në pranga.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet. 

Javët e fundit policia ka goditur disa raste të tregtimit të farës së kanabis sativës, cka konfirmon tentativat e kultivimit të bimëve narkotike në këtë vit zgjedhor.