Beteja politike për 25 prillin nis nga Tirana

Ora 18:00 e kësaj të enjteje, 25 mars 2021, shënoi nisjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.

Beteja elektorale filloi nga Tirana në dy sheshet në skajet e bulevardit "Dëshmorët e Kombit" .

Në sheshin "Nënë Tereza" u mblodhën mbështetës të shumtë të Partisë Demokratike, ndërsa  në sheshin "Skënderbej" të pranishëm ishin vetëm kandidatët socialistë për deputet.

Himni kombëtar ngriti siparin e fjalimeve politike për të dyja partitë.

PD kishte përzgjedhur shkrimtaren Flutura Açka për të përcjellë mesazhet e para politike.

"Kjo është alternativa e këtyre zgjedhjeve që kemi përpara, ose të ndreqim demokracinë tonë ose të shkojmë në diktaturë."

Edona Bilali, kryesuese e listës së Shkodrës, ishte e para që mori fjalën nga socialistët.

"Kam dashur që prej kohësh politika të ishte sjellë më mirë me Shkodrën. Këtu e kam fjalën dhe për PS, sepse edhe ajo ka pjesën e saj të  borxhit me këtë qytet".

Për Lulzim Bashën, 25 prilli do të shënjojë ditën e ndryshimit të Shqipërisë.

"Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqënies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane."

Ai premton ti japë fund tranzicionit si dhe tu heqë shqiptarëve barrën mbi supe që u ka lënë qeveria.

"Po shkulim dhe çrrënjosim nga damarët e tokës sonë një kastë, një grusht, një të keqe që ka vendosur të shterojë dhe përvetësojë për interesat e veta të gjitha pasuritë dhe burimet që Zoti kaq bujarisht ja ka falur Shqipërisë."

Tetë vitet e qeverisjes së Ramës thotë se kanë mbjellë vetëm varfëri dhe dështim.

"Sot vi para jush për të shpallur një tjetër synim, një detyrë, një mision që i përgjigjet dëshirës së çdo shqiptari, ndaj të cilës angazhohem. Kur të më zgjidhni Kryeministër detyra e parë madhore, misioni është futja e Shqipërisë bë BE."

Fundi i fjalimit të Bashës shënoi edhe nisjen e fjalës së Edi Ramës. Partinë Demokratike e quajti të papërgjegjshme në ditën e parë të fushatës.

"Atje ka ndotje dhe ka zhurmë me makina dhe dasmorë që kanë vënë përpara një dhëndërr i cili vonohet një orë".

Mandati i tretë, tha ai, nuk do të jetë për PS por për Shqipërinë dhe vijimin e reformave të nisura.

"Mandati i tretë i PS bën të pakthyeshme reformën në drejtësi. Mandati i tretë i PS do të thotë që prona të mos jetë më një problem në mesin tonë."

I vetëdijshëm se ka të pakënaqur nga politika e tij kërkoi durim dhe besim.

"Çfarë ilaçi ka mërzia, çfarë ilaçi ka pakënaqësia? Të durosh, të shtrëngosh dhëmbët dhe të vazhdosh përpara. Të ngjitesh, të ngjitesh, të ngjitesh."