‘Populli i partive’ vs. ‘populli i lirisë’
Sot u çel fushata e 10-të e zgjedhjeve parlamentare, në një histori politike 30 vjeçare në tranzicion demokratik.
Sa herë ka nisur një e tillë, pavarësisht vitit, ‘92, ‘97 apo 2017, kemi dëgjuar një refren: këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në histori!
Thuhet kështu edhe për përballjen e 25 prillit ku, dy armiqtë e vjetër të tranzicionit, PS dhe PD, ndeshin brirët për tu vënë ata në krye të kopesë shqiptare për katër vitet e ardhshme.
Nga fjalori i tyre rrjedh mjalti i lëvdatave për ‘popullin e pagabueshëm’, trim dhe legjendar shqiptar, që do të zgjedhë ata dhe jo atë tjetrin. Populli vetë, në ndërkohën që partitë e kanë qeverisur me radhë, gjithnjë e më shumë, zgjedh ose të ikë ose të heshtë, duke mos votuar.
Sepse në Shqipëri ka dy popuj. Ai që pret me gojë hapur që, si punën edhe bukën t’ia japë në formë qyli njëra prej partive, dhe ai që kërkon nga parti-qeveritë vetëm të mos i bien në qafë.
I pari i përket shtetit etatist ku qeveria zgjidh çdo gjë, dhe i dyti është ‘populli i lirisë’. Gjëja me negative që ‘2 plus 1’ partitë shqiptare kanë bërë në këta 30 vjet është zvogëlimi i ‘popullit të lirisë’, dhe mbjellja e farës së keqe të popullit të tyre. Një racë që e ka shpresën te varësia.
Kështu që, vetëm në këtë kuptim këto zgjedhje janë jetike, historike, dhe ndryshe nga të tjerat. Ato do të tregojnë nëse ‘populli i lirisë’ është rritur ndopak dhe do t’i japë një mësim ‘popullit të partive’ dhe vetë 2 plus 1-it të tyre.
‘Të mjerët’, që presin o një vend pune partiak o një drejtorllëk vjedharak, janë sërish aty, të shumtë. Përballë tij është besimhumbura shtresë gri, tek ëndërron vetëm që këta ‘të mjerë’, pas zgjedhjeve, ta lënë në punë të vet.
Po, këto janë zgjedhje historike! Por, jo se 2 partitë, plus ankesin, mund të ndërrojnë vendet, por se ‘populli i lirisë’ të mund të ngrihet dhe të japë një leksion.