PD nis rrugëtimin drejt 25 prillit/ Demokratët mbushin sheshin "Nënë Tereza", Basha premton: Zhvillim dhe integrim në BE

Partia Demokratike e ka nisur fushatën 1 orë pasi e kishte lajmëruar, thuajse në të njëjtën kohë me Partinë Socialiste, duke i vënë partitë përballë në të dy anët e bulevardit. E para në podium u ngjit publicistja Flutura Açka e cila tërhoqi vëmendjen për largimin e të rinjve dhe profesionistëve. Pjesëmarësit në sheshin "Nënë Tereza" u përshëndetën nga soprano Eva Golemi e pas me thirrjet e aktorit Neritan Liçaj.Për kryetarin e PD, Lulzim Basha, i cili thekson se me këto zgjedhje do ti jepet fund tranzicionit.Me zgjedhjet e 25 prillit, tha Basha, vendit do ti jepet një qeveri që kujdeset për vendinNdryshe nga përballja e Elbasanit, në Tiranë hapja e fushatës nuk u pasua me përplasje.

Partia Demokratike hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale. Sheshi “Nënë Tereza” u mbush me simpatizantë të Partisë Demokratike, makina dhe simbolet e PD-së, ndërkohë që në të njëjtën orë në sheshin "Skënderbej" çeli fushatën PS.

Çelja e fushatës së demokratëve nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar nga tenori i njohur Kastriot Tusha. Thirrjet "Rama ik" nuk munguan herë pas here në shesh.

Basha: Edhe 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, zhvillimit, punësimit, mirëqënies dhe integrimit në familjen europiane. Jemi këtu sepse ju keni marrë një vendim  shumë të rëndësishëm, ti japim fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim, një faqe të re. Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit.Ne shqiptarët meritojmë më shumë, mundemi dhe do të bëjmë shumë më shumë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ndryshimi po vjen, ndryshimin do ta sjellim dhe Shqipëria do të ndryshojë.

Kryedemokrati nënvizoi se Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një qeveri më të mirë dhe se ai dhe ekipi i tij janë gati ta ofrojnë këtë gjë.

Basha: Në 25 prill do t'ja heqim popullit tonë këtë barrë të rëndë  nga supet, do çlirojmë oksigjen dhe energji pozitive për çdo shqiptar. Shqiptarët meritojnë një qeveri më të mirë që do të punojë për ta dhe jo për veten e saj. Kemi gati për zbatim plane serioze pune që do të ndryshojnë jetën e familjeve shqiptare. Do të sjellim një qeveri që kujdeset për ju dhe Shqipërinë tonë. Shqipëria i ka mundësitë, i ka resurset dhe ne do ti vëmë në shërbimin tuaj.

Basha akuzoi qeverinë Rama se ka larguar Shqipërinë nga rruga europiane dhe ka varfëruar vendin.

Ai tha se detyra më madhore e tij si Kryeministër do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Basha: Kur të më zgjidhni Kryeministër detyra e parë madhore dhe misioni im është futja e Shqipërisë në BE. Na duhet urgjentisht ti lëmë pas 8 vite ngecje dhe hapa pas dhe të nisim marshimin deri në anëtarësimin e plotë të kombit të shqipeve në familjen tonë europiane.

https://youtu.be/e-j55LRamow

Por për të realizuar planin e tij ambicioz, Basha kërkoi ndihmën dhe votën e shqiptarëve.

Basha: Kam nevojë për ndihmën tuaj sepse pa ju ëndrrat më të bukura dhe planet serioze mbeten përralla. Në javët e ardhshme le të qëndrojmë bashkë sa më afër, të bisedojmë ditë për ditë me njëri-tjetrin, të bindim se po punojmë për një qëllim të lartë, fisnik, për të garantuar një ndryshim të thellë, të vërtetë dhe të pakthyeshëm për bijtë e shqipes. Secili nga ne duhet ti bashkohet kësaj përpjekje, bashkë për ndryshim, Shqipëria fiton. Kam nevojë për forcën tuaj dhe ndihmën tuaj. Bashkë do të kapërcejmë çdo pengesë dhe do të përmbushim çdo ëndërr.

"Lulzim Basha, udhëheqësi që i duhet Shqipërisë"

Zëdhënësja e fushatës së PD-së, Floriana Garo, u shpreh se Basha është udhëheqësi që i duhet Shqipërisë.

Garo: Pasi jam takuar disa herë me Lulzim Bashën kam krijuar bindjen se ai është udhëheqësi që i duhet Shqipërisë, i vendosur karizmatik dhe me përvojë dhe në të nëjtën kohë i dashur dhe i afërt me njerëz, një person që i sheh njerëzit në sy dhe flet gjuhën e tyre. Është i gatshëm të sjellë ndryshimin që ne kemi kaq shumë nevojë.

"E ardhmja e jona, votoni Lulzim Bashën kryeministër"

Ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila, kandidat për deputet në Kavajë kërkoi votën e shqiptarëve për të ardhmen e fëmijëve.

Lila: Shumë persona kanë shprehur spektizimin e tyre se ndryshimi edhe në sport është utopi. Kam pranuar ofertën politike kryeministrit Basha me bindjen e plotë se fitorja është e jona. Sa herë jam futur në fushën e futbollit e dija se në fund do të kishte një palë që fiton dhe një palë që humb, futesha duke ditur që në fund gjysma e tifozëve do të festonin dhe gjysma do të trishtoheshin, por kjo e sotmja nuk është lojë, nuk është një garë mes shqiptarëve por një përballje, është e ardhmja e fëmijëve tanë. Nuk duhet të bëjmë naivin. Me 25 prill duhet ti tregojmë të gjithë shqiptarëve do të bëjmë ndryshimin e madh, nuk do të braktisim vendin, do ti rritim këtu fëmijët tanë. Me 25 prill, me dorë në zemër të gjithë shqiptarëve u them votoni PD, ndryshimin, votoni Lulzim Bashën kryeministër sepse e ardhmja është e jona.

"Ose të ndreqim demokracinë tonë ose të shkojmë në diktaturë"

Kandidatja për deputete e PD-së në Elbasan, shkrimtarja Flutura Açka tregoi se pse ju bashkua PD në këtë mision.

Açka: Nuk di të mbaj fjalime politike por di të flas me zemër. Si njeri i mësuar me dekada me vesin e bukur të vetmisë, edhe pse jam njeri i fjalës dhe i stërvitur me lojën e saj se kam të lehtë të ndaj nga vetja emocionin edhe kur them të vërtetën dhe nis dhe më merret goja kur flas për gjëra shumë të dashura. Një nga këto gjëra të dashura është të jesh këtu sonte, me një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Për një natyrë si e imja kapërcimi nga vetmia te shumëria nuk ka qenë e lehtë, nuk ka qenë hezitim por përgjegjësi për të thënë po. Mu deshën vite të mendoja por pak çaste të vendosja. Ti thuash jo në kohëra si e jona nuk bën gjë tjetër veçse pohon postulatin e Dantes për vendin që kanë në ferr indiferentët në kohëra të turbullta. Vendosja të mos jem indiferente në kohëra kaq të turbullta.

Açka tha se alternativa e këtyre zgjedhjeve është ose të ndreqim demokracinë tonë ose të shkojmë në diktaturë.

Açka: Vetëm kështu mund ta ndajmë Shqipërinë nga baronët e drogës, kullave, baronët e shembjes së teatrove.Të fillojmë të ndreqim demokracinë që sonte. Këtë se bëjmë dot vetëm pro me këtë armatë njerëzish me plot ëndrra.

Tabaku: Fitoren do ta prijë Tirana me 20 deputetë, pas 25 prillit do të vijë një qeveri normale dhe për qytetarët

Më herët në një prononcim nga sheshi "Nënë Tereza" deputetja demokrate Jorida Tabaku u shpreh se shqiptarët presin me padurim 25 prillin.

Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje me koalicionin "Aleanca për Ndryshim" nën slloganin "Shqipëria fiton" .

Partia demokratike – Kryetari, Lulzim Basha
Partia republikane – Kryetari, Fatmir Mediu
Partia për drejtësi integrim dhe unitet – Kryetari, Shpëtim Idrizi
Partia lëvizja për zhvillim kombëtar – Kryetari, Dashamir Shehi
Partia bashkimi për të drejtat e njeriut – Kryetari, Vangjel Dule
Partia agrare ambientaliste – Kryetari, Agron Duka
Partia demokristiane – Kryetari, Nard Ndoka
Partia fryma e re demokratike – Kryetari, Sali Shehu
Partia bashkimi liberal demokrat – Kryetari, Arian Starova
Partia balli kombëtar demokrat – Kryetari, Artur Roshi
Partia bashkimi demokrat – Kryetari, Ylber Valteri
Partia mendimi djathtë liberal – Kryetari, Mustafa Lici
Partia lëvizja e legalitetit – Kryetari, Shpëtim Axhami
Partia kristian demokrate – Kryetari, Dhimitër Muslia

Foto: LSA

Lexo me shume: Tabaku: Fitoren do ta prijë Tirana me 20 deputetë, pas 25 prillit do të vijë një qeveri normale dhe për qytetarët