Durrës, banorët sërish protestë kundër memorialit: Të na ndërtojnë pallatin ku ishte

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 u mori jetën 51 personave, nga të cilët dy prej tyre u zënë nën rrënojat e lokalit "Barons" në katin e parë të një pallati.

Autoritetet kanë miratuar një rregull sipas të cilit nuk do të ketë rindërtim objektesh aty ku ka patur viktima por kjo gjë kundërshtohet nga 18 familjet e këtij pallati.

Këta të fundit kundërshtojnë idenë e ngritjes së një memoriali në bazë të propozimit të kryebashkiakes Emirjana Sako.

Me pankarta në duar, ata i zunë për herë të dytë derën Bashkisë.

"Ne kërkojmë të ndërtohet pallati aty, ku të shkojmë ne, ku të mbytemi?"

Banorët apelojnë pushtetin lokal që ta rishohë vendimin.

"Po i drejtohemi kryetares së Bashkisë se kjo e ka bërë ligjin."

Për shkak të pozicionit në të cilën ndodhet trualli, ata hedhin edhe dyshimet e tyre.

"Ata duan ta marrin vendin për vete, të ndërtojnë."

Gjithësesi, Bashkia e Durrësit ka thënë se banorët do të strehohen në shtëpi të reja që do të ndërtohen në lagjen nr.17 , ndërsa thekson se mbetet i pandryshuar vendimi për ngritjen e memorialit në kujtim të viktimave të tërmetit në truallin e pallatit nr.1032.