"Viktima nga Covid 70 ditë në morg”, Meta për skandalin e publikuar në “BOOM”: Tronditëse, Prokuroria të hetojë

Dy ditë pas denoncimit të skandalit nga emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora për mbajtjen në morg për 70 ditë me radhë të një pacientit që kishte ndërruar jetë nga Covid pa njoftuar familjarët e tij, ka ardhur dhe reagimii Kreut të Shtetit.

Në një status të gjatë në facebook, Meta thotë se është e pafalshme heshtja e institucioneve përgjegjëse për këtë denoncim  tronditës.

Presidenti thotë se kjo ngjarje është treguesi më i shëmtuar dhe antihuman i keqmenaxhimit të situatës pandemike dhe mënyrës së funksionimit dhe koordinimit të sistemit shëndetësor në tërësi.

Ndaj ai shtron pyetjen: "Kur një qytetar që ka ndërruar jetë, mbahet për 70 ditë në morg, pa njoftuar familjarët e tij, atëherë çfarë mund të mendojmë të ketë ndodhur me saktësinë e të dhënave të raportuara të pandemisë?!"

Lexo edhe- BOOM denoncon skandalin: Vajza i çonte ushqime në spital, babai prej 70 ditësh në morg, mjekët asnjë informacion

Kreu i Shtetit shton më tej se ky rast alarmant dhe i dënueshëm ligjërisht, duhet të verë menjëherë në lëvizje jo vetëm institucionet e përfshira për të kryer një hetim të thelluar administrativ.

Ndaj ai i bën thirrje organit të Prokurorisë të nisë pa vonesë hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve të personelit mjekësor dhe administrativ, që ka qënë në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe të vërë para përgjegjësisë këdo, që ka vepruar në shkelje të ligjit.

Lexo edhe: Dy javët e para të fushatës elektorale pa mitingje, nuk ndryshojnë masat kufizuese

Postimi i plotë i Presidentit

E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe tronditje të thellë denoncimin e rëndë, të bërë publik fillimisht në emisionin investigativ “Boom”, të familjarëve të qytetarit të ndjerë Luan Zeqiri, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Sipas familjarëve, shtetasi Luan Zeqiri ishte shtruar në datën 27 dhjetor 2020 në spitalin e Vlorës dhe kishte ndërruar jetë në datën 6 janar 2021 në një prej spitaleve COVID në Tiranë.

Sipas tyre trupi i pajetë është mbajtur në morg prej 70 ditësh dhe vetëm pas denoncimit në media dhe insistimit të tyre është tërhequr prej andej vetëm pak ditë më parë.

Nga 27 dhjetori 2020 deri më 18 mars 2021, familjarët nuk janë informuar për humbjen e jetës së të afërmit të tyre, por sa herë kanë vizituar spitalin e Vlorës gjatë kësaj periudhe për t’u interesuar për gjendjen e tij, kanë dorëzuar aty edhe ushqime për të.

Më pas familjarët janë sorrollatur sa në Vlorë e në Tiranë, duke mos u informuar mbi vendodhjen e tij, aq më keq, që i ndjeri Luan Zeqiri kishte ndërruar jetë.

Kam pritur nga institucionet përgjegjëse të reagonin me transparencë për këtë denoncim tronditës, por konstatova me keqardhje mungesën e një përgjigjeje shteruese publike.

Nuk ka asnjë justifikim, as ligjor, e aq më pak njerëzor për këtë rast, që është treguesi më i shëmtuar dhe antihuman i keqmenaxhimit të situatës pandemike dhe mënyrës së funksionimit dhe koordinimit të sistemit shëndetësor në tërësi.

Kur një qytetar që ka ndërruar jetë, mbahet për 70 ditë në morg, pa njoftuar familjarët e tij, atëherë çfarë mund të mendojmë të ketë ndodhur me saktësinë e të dhënave të raportuara të pandemisë?!

Për këtë ngjarje të rëndë, nuk ka asnjë justifikim, pasi shteti i ka të gjitha mekanizmat për të përmbushur detyrimet e tij.

Ky rast alarmant dhe i dënueshëm ligjërisht, duhet të verë menjëherë në lëvizje jo vetëm institucionet e përfshira për të kryer një hetim të thelluar administrativ, por më së pari organin e Prokurorisë, që si President i Republikës, i bëj thirrje të fortë të nisë pa vonesë hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e të gjitha veprimeve të personelit mjekësor dhe administrativ, që ka qënë në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe të vërë para përgjegjësisë këdo, që ka vepruar në shkelje të ligjit.

Gjithashtu, i bëj thirrje stukturave përgjegjëse spitalore apo të mjekësisë ligjore, t’i vendosin në dispocion familjarëve, pa zvarritje të mëtejshme, të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Duke e falënderuar emisionin investigativ “Boom” dhe median në përgjithësi për rolin e rëndësishëm, që po luan në këtë periudhë pandemie, u bëj thirrje Qeverisë dhe të gjithë institucioneve në varësi të saj, që kanë përgjegjësi në menaxhimin e situatës pandemike, të koordinohen, të bashkëpunojnë, të asistojnë dhe t`u përgjigjen në kohë kërkesave të qytetarëve dhe të afërmve të tyre të prekur nga COVID-19, të veprojnë me transparencë dhe mbi të gjitha me humanizëm.

Është e papranueshme dhe do angazhohem me të gjitha energjitë e mia të mos lejoj më të tilla ngjarje tronditëse e të dënueshme që të ndodhin në Shqipërinë e vitit 2021.