Zall Bastari me gjysmë ure, fëmijët rrezikojnë jetën çdo ditë për të shkuar në shkollë

Prej vitesh lagjia "Gjonaj" në Zall Bastar lidhet me pjesën tjetër të fshatit vetëm përmes një ure, nga e cila ka mbetur vetëm gjysma. Ata që rrezikojnë më shumë nga mosndërhyrja e Bashkisë së Tiranës janë fëmijët që kalojnë çdo ditë për të  shkuar në shkollë.

Kjo është ura e lagjes "Gjonaj", e cila të lidh me fshatin Zall Bastar.

Në këtë lagje jetojnë afro 10 familje të cilat janë harruar totalisht nga Bashkia e Tiranës, pasi nga ura që i lidh ata me njësinë administrative ka mbetur vetëm gjysma.

Më të rrezikuarit nga mungesa e investimit në këtë zonë janë fëmijët që kalojnë çdo ditë mbi drasat e kalbura për të shkuar në shkollë.

"Nuk mund të kalojmë, janë thyer dërrasat."

"Kalojmë me vështirësi, baballarët tanë na kalojnë."

Pavarësisht ankesave të shumta nga banorët, ndër vite askush nuk ka ardhur për t’i dhënë zgjidhje.

"Ura ka 20 vjet që nuk është e kalueshme. Uji i madh aty, fëmijët e shkollës nuk kanë ku të kalojnë. Asgjë nuk kanë bërë deri sot, vetëm e kanë parë."

Vetëm pak më poshtë kësaj zone, ndodhet një tjetër urë e cila lidh fshatin Zall Dajt me rrugën kryesore.

Siç mund të shihet, ura vetëm emrin e ka të tillë pasi struktura e mirëfilltë mungon totalisht.