Gjasula: Kemi lojtarë të fortë, asnjë nënvlerësim Andorrës
Shqipëria në prag të startit të eliminatoreve të Botërorit 2020 po vijon me përgatitjet në Barcelonë ku është grumbulluar përpara sfidës me Andorrën. Në vigjilje të kësaj sfide, ishte Klaus Gjasula i cili foli në konferencën për shtyp ku veçoi dëshirën e madhe për të fituar edhe pse nuk është ende në 100% të formës.
"Nuk jam ende në 100 % të kondicionit nga fuqia, por ndihem gati për të ndihmuar, aq minuta sa do të më japë trajneri. Besoj se do të jap maksimumin për skuadrën. Sfida e parë me Andorrën, besoj se i kemi mundësitë për ta fituar ndeshjen. Do të kishte qenë ndryshe po të luanim ndeshjen e parë me Anglinë".
Lidhur me prurjet e reja dhe grumbullimin nga trajneri Reja, Gjasula mendon që kuqezinjtë janë tashmë të konsoliduar teksa nuk dëshiron të bëjë llogari për pikët.
"Nuk ka ndryshim në grup, për mua janë të njëjtët lojtarë, vetëm 1 prej tyre mund të them i ri. Eshtë mirë që lojtarët po afrohen sa më shumë me njëri-tjetrin dhe po e tregojnë në fushë. Për pikët nuk e kam menduar sesa do marrim në tre sfidat e radhës por nuk duhet të bëjmë gabimin e herës së fundit me Andorrën ku na mori një pikë në Shqipëri", përfundoi mesfushori i kuqezinjve.
Kujtojmë që Klaus Gjasula ka pak javë që është rikthyer nga një dëmtim serioz dhe ka luajtur vetëm pak minuta me Hamburg në dy javët e fundit në Bundesliga II.