Van Dijk fut në "luftë" Klopp me Holandën
Sezoni i Liverpool është drejt dështimit nëse skuadra e Jurgen Klopp nuk arrin të kualifikohet për në Champions League sezonin e ardhshëm apo të fitojë këtë trofe këtë vit por që më parë duhet të kalojë Real Madridin në çerekfinale.
Një nga arsyet e krizës që goditi Liverpool kishte të bënte me dëmtimin e lojtarit kryesor të "The Reds", Virgil Van Dijk, të cilit duke i shtuar edhe dëmtimet e tjera të Matip dhe Gomez pothuajse e lanë mbrojtjen zbuluar.
Nga Anglia, raportojnë se gjiganti Van Dijk, vijon rikuperimin sipas planit madje po synon të jetë në kohë për të luajtur në Kampionatin Europian. Trajneri i Holandës, Frank De Boer i ka premtuar ta fusë në listë nëse mbrojtësi rikuperohet deri në fund të Majit por kjo nuk i ka pëlqyer aspak Jurgen Klopp i cili kërkon shumë kujdes në rikthimin e të besuarit të tij.
Trajneri gjerman dëshiron një rikuperim normal pa u sforcuar në mënyrë që Van Dijk të jetë në formën më të mirë për sezonin e ardhshëm dhe nga ana tjetër është Holanda që duket sikur po e ngut 29-vjeçarin në fazën rikuperuese, çka mund të sjellë ndoshta një dëmtim tjetër që do të hidhte në erë gjithçka që është bërë mirë deri tani.
Deri në fund të Majit gjithçka do të vlerësohet nga mjekët e Liverpool dhe nga ana tjetër ekziston një dëshirë e madhe nga Van Dijk për të qenë me çdo kusht për herë të parë në një Kampionat Europian me tulipanët.