Granit Xhaka kundër të gjithëve: Nuk thyhem nga kritikat
Nuk e ka patur shumë të lehtë eksperiencën te Arsenali mesfushori shqiptar, Granit Xhaka. Ndërprerja e kampionateve për eliminatoret e Botërorit duket se e kanë karikuar më shumë lojtarin që shpesh ka qenë nën "rrebeshin" e kritikave të tifozëve por dhe gazetarëve anglezë.
Tashmë Kapiten i Zvicrës, Xhaka flet i qetë për ngjarjet e fundit duke theksuar se çdo kritikë e shëndoshë është e pranueshme por gjithmonë ka një kufi.
"Duhet të jetosh me kritikat në futboll, sidomos në nivele të tilla si në Premier League, ka lojtarë që ndëshkohen me karton të kuq dhe nuk kritikohen aq shumë sa unë. Mendoj se gjithçka ka një limit e për më tepër më duket sikur ndaj meje gjërat bëhen më të mëdha seç janë në të vërtetë", tha 29-vjeçari shqiptar.
Xhaka gjithashtu tregoi edhe rrugën sesi ja doli të linte pas çdo situatë negative dhe të bëhej sërish i rëndësishëm dhe i dashur për tifozët e "topçinjve".
"Me punë të vështirë çdo ditë, me besimin e trajnerit, të shokëve dhe të familjes kam arritur të kthej gjërat në anën time. Une mendoj se kritikat nuk do të më thyejnë, jam më i fortë dhe do të dal më i fortë nga çdo situatë e pakëndshme që kam kaluar", përfundoi kapiteni i Zvicrës.
Lidhur me eliminatoret e Botërorit ku kombëtarja helvete do të nisë fushatën ndaj Bullgarisë, Xhaka shprehu bindjen se Zvicra do të lërë pas Italinë në grup dhe të kualifikohet direkt për në Katar.