Leverkusen në krizë, shkarkohet Peter Bosz
Duhej të ishte një prej ekipeve pretendente për të luftuar për 2-3 vendet e para por te Bayer Leverkusen, situata nuk është aspak e mirë sidomos nga rezultatet tejet negative të javëve të fundit.
Të ndodhur përpara një krize që mund të ketë pasoje nëse "Aspirinat" nuk arrijnë Evropën, drejtuesit vendosën të shkarkojnë trajnerin Peter Bosz.
Fatale për trajnerin 57-vjeçar rezultoi humbja e fundit me Hertha Berlin e cila ishte disfata e katërt në 5 javë, çka ka zbehur më tej ambiciet e Leverkusen për Europën.
Me një ecuri të tillë "horror", drejtuesit e Leverkusen morën vendimin drastik për largimin e Bosz i cili drejtonte skuadrën që prej vitit 2018 dhe në vend të tij emëruan përkohësisht trajnerin e ekipit të 18-vjeçarëve, Hannes Wolf.
Me këtë lëvizje, klubi dëshiron që të rikthehet në garë për një vend në Champions League dhe aktualisht Leverkusen është në vendin e 6 me 40 pikë, plot 7 pikë rivalëve të Eintracht Frankfurt që po "fluturojnë" javët e fundit me formën e mirë.