Shkodër/ Varret e Marubit e Idromenos po shkojnë degradimit, “shkëlqimi” zgjati vetëm 6 muaj

Varret monument kulture të kategorisë së Parë të Marubit e Kolë Idromenos në Shkodër  po shkojnë drejt degradimit 6 vite pas ndërhyrjes me bujë nga Ministria e Kulturës. Që prej asaj kohe duket se kanë hequr dorë nga përgjegjesitë. Studiuesi Dom Nik Ukgjini flet për papërgjegjshmëri shtetëtore.

Shkodër- Gjashtë vite pasi u rikonstruktua me bujë nga ministria e kulturës, gjendja në të cilën ndodhet varri i Marubit dhe Kol Idromenos është kjo.

Megjithëse monument kulture i kategorisë së parë, varri i Marubit dhe Kolë Idromenos në qytetin e Shkodrës, ngjajnë sikur t'i përkasin një zone lufte.

Problemet nisën të shfaqen 6 muaj pas ndërhyrjes e prej asaj dite Ministria e Kulturës dhe drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore në Shkodër hoqën dorë nga përgjegjësitë që ju dikton ligji.

"Në aspektin moral dhe juridik normalisht që shteti e ka detyrim të merret me këto monumente," tha Nikë Ukgjini, studiues.

Kleriku Dom Nik Ukgjini ishte një nga bashkë-organizatorët që 1 vit më parë morën nismën për të grumbulluar vetë fondet që të kryhej restaurimi i plotë dhe me standarte, por pandemia pezulloi çdo gjë.

"Pas këtij shkatërrimi ne tentuam që të organizojmë dhe vitin e kaluar në muajin shkurt me disa intelektualë dhe disa donatorë," thotë Ukgjini.

Sipas studiuesit, ende shteti nuk është ndërgjegjësuar për rëndësinë që kanë monumentet.

"Kur bie fjala për shtetin dhe monumentet e kulturës janë dy gjëra që duken të kundërta mjerisht," thotë ai.

Ishte 25 vjetori i meshës së parë që angazhoi qeverinë shqiptare asokohe të kryente restaurimin e tyre dhe të varrezave katolike të Rrmajit, për t'i inauguruar në 2015-ën, por sipas studiuesve gjithçka rezultoi se u bë vetëm për fasadë.