I akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, arrestohet 37-vjeçari në Nikël. Mbante pistoletë me plumbin në gojë
Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Albert Zaja, një prej personave të akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier.
37-vjeçari Zaja, banues në fshatin Larushkë të Niklës në Fushë Krujë, u arrestua pasditen e sotme në banesën e tij.
Burime për Ora News bëjnë me dije se, Zaja tentoi të largohej kur pa praninë e Policisë por pa ia arritur qëllimit.
Në momentin e arrestimit, Zajës i është gjetur edhe një armë pistoletë, me fishek në gojë, ndërsa aktualisht ai po sillet drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Lexo edhe: Arrestimi i Albert Zajës, policia jep detaje: Tentoi të fshehë në baltë pistoletën dhe të arratisej
Për vrasjen e Kastratit janë ende në kërkim shtetasit Elmir Tufa, 29 vjeç; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.
VRASJA
42-vjeçari Shkëlzen Kastrati u ekzekuta në lagjen Sheq i Madh në Fier. Ishte ora 10:30 e paradites së 1 shkurtit 2021 kur, viktima që po udhëtonte me makinë, u qëllua nga krahu i pasagjerit pranë rotondos sël Sheqit.
Ai mori dy plumba, një në kokë që ka rezultuar vdekjeprurëse dhe një tjetër në krah.
Për vrasjen u përdor një automatik Skorpions i pajisur me silenciator, ndërsa makina tip Range Rover me targa greke që u përdor për atentatin u gjet e djegur në vendin e quajtur Kthesa e Baltëzës.

PERSONAT NË KËRKIM
Katër personat, Albert Zaja, Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvio alias Roland Cara, besohet se janë paguar nga individë të tjerë në Fier, me qëllim ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit.
Të katër persona kanë pasur detyra të ndara në këtë atentat, ku dy i janë afruar me makinën tip “Range-Rover”, objektivit Shkëlzen Kastrati.
Ndërsa dy të tjerë kanë qëndruar në dalje të Fierit me një makinë tjetër, në pritje për të ardhur me shpejtësi dy njerëzit që kanë qëlluar mbi Kastratin.
Ky i fundit është qëlluar nga një distancë e afërt dhe sipas burimeve të policisë, njerëzit që kanë hapur zjar, janë Elson Xheçuka nga Kamza dhe Albert Zaja nga Fushë-Kruja.
Lexo edhe: Vrasja e Shkëlzen Kastratit, njëri nga vrasësit, vëllai i Hektor Xheçukës