Shembja e maternitetit, Kalaja: Përveç se pjesë e monumenteve të kulturës, kishte edhe simbolikën e një ndërtese që sillte jetë
Aktivistja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, njëherazi avokate, Adriana Kalaja ishte e ftuara e gazetarit Xhoi Malësia në RTV Ora ku foli mbi disa çështje që prekin Tiranës por duke u ndalur edhe te shembja e maternitetit "Nëna Geraldinë" në Tiranë, fasda e të cilit ishte "monument kulture".
Sipas saj, ndërtesa në fjalë, përveç monument kulture, mbart kujtime për shumë qytetarë, kryesisht nëna, duke sjellë në vëmendje edhe faktin se vetë ajo në këtë maternitet ka sjellë në jetë dy fëmijë.
Lexo edhe: Fadromat ndaj Maternitetit, Meço: “Historia fillon me mua” prodhoi një qytet-monstër
"Si çdo shembje, brenda një qyteti, të dhemb sepse brenda saj mban histori, brenda saj mban disa elementë që ty të lidhin me memorien e së shkuarës. Kur ti kthen kokën mbrapa të jep një ndjesi, të kujton diçka. Pamjet ishin të trishta, por unë si grua e kam prekur vetë atë ndërtesë. Kam sjellë në jetë dy fëmijë në atë ndërtesë. Kështu që përveç se ishte pjesë e monumenteve të kulturës, kategoria II, kishte edhe atë simbolikën e një ndërtese që sillte jetë. Pra, të një ndërtesë, që ndryshe nga të tjerat me gjithë pozitivitetin që mund të kenë, kjo kishte atë më të veçantën", u shpreh ajo.
A ka patur një ndikim të kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në prishjen e kësaj ndërtese?
Adriana Kalaja: Unë mendoj se po. Nëse do të marrim në konsideratë faktin e bërë publik nga bashkia që ndërtesa do të rikonstrukohet dhe kjo ka ardhur si pasojë e goditjes së tërmetit të vitit 2019, unë mendoj se Bashkia Tiranë kishte një kohë shumë të mjaftueshme në dispozicion për të ndërhyrë në këtë ndërtesë dhe të paktën, sipas fotos që afishuar te tabela jashtë godinës, pretendohet se do të mbajë të njëjtën strukturë dhe të njëjtën pamje, qoftë edhe me ata elementët që e bënin të veçantë në raport me ndërtesat e tjera.
Pse them unë që duhet parë në dy momente: unë mendoj se lejen për rikonstruksion mund ta kenë bërë edhe nën efektin real të dëmtimeve që kjo ndërtesë ka patur nga tërmeti, por unë mendoj se koha që është zgjedhur është zgjedhur në mënyrë të llogaritur mirë, të planifikuar mirë nga kryetari i bashkisë. Pse e them këtë? E them këtë sepse, së pari, kryetari i bashkisë figuron në përgjimet e antimafias italiane në lidhje me grupin mafioz Ndranghetta dhe e dimë të gjithë që SPAK ka zbritur në bashki dhe po kontrollon të gjitha tenderat e dhënë nga momenti kur Erion Veliaj është zgjedhur kryetar bashkie.
Së dyti, duke qenë një situatë kaotike, ku ka shumë akuza, me të drejtë, ndaj Bashkisë Tiranë, për mënyrën si bëhen shembjet, për mënyrën si bëhen ndërtimet etj, unë mendoj se ky është zgjedhur si rast për ti treguar SPAK që unë akuzohem kot dhe jam brenda të gjitha rregullave.
Sipas Kalasë, akti për shembjen vjen gjatë një jave kur Erion Veliaj ka marrë dy goditje të rënda nga beteja ligjore me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit.
Lexo edhe: Shembja e Maternitetit, qytetarët: Po shkatërrojnë kulturën dhe s’po ndërtojnë asgjë