"Çfarë ofrojnë ata për Shqipërinë?" Rama nuk resht paralelizmat me opozitën

Në mungesë të bilanceve pozitive të qeverisë së tij në 8 vite pushteti, kryesocialisti Rama deri në 25 prill është i vendosur të vijojë më sulmet ndaj opozitës, si një mënyrë për t’ia dalë me akuza dhe batuta.

Madje në prezantimin e kandidatëve të qarkut të Elbasanit, shefi i mazhorancës  tregoi se është mjaft i shqetësuar për “katandisjen” e opozitës.

"Me një koalicion parazgjedhor, me një kontratë kapje për fyti të njëri-tjetrit. A e kuptoni që të gjithë këta që janë pjesë e këtij koalicioni janë pengmarrësit, sepse ai ëshët vërtet i koalicionit "kap ça të kapësh," tha Rama.

Në komunikimin publik Rama nuk mundohet të bindë socialistët e mërzitur, por kërkon të bindë demokratët se kreu i PD është i marrë peng nga çifti presidencial.

"A do të jetë qeveria e Monikës dhe e Ilir Metës," thotë ai.

Lexo edhe: “Kontratë me pjesë të fshehtë” Rama sulmon opozitën nga Elbasani: I kanë pasur shanset për të treguar se kush janë

Madje duke hedhur dyshimet mbi ndarjen e posteve të qeverisjes se opozitës, sipas rreshtave të fshehur për demokratët, por të lexuar nga Rama.

"Agron Duka ka firmosur për të qenë ministri i Bujqësisë, Fatmir Mediu kërkon të kthehet në qeveri, o karrigen  o s'ka, edhe Nard Ndoka që në fund të fundit i takon më shumë se na bën të qeshim. Mendoni që pse disa nga ju janë demokratë dhe nuk jeni të kërcënuar? Po sikur nesër ministrinë e Arsimit ta marrë 'Tim Idrizi e di çfarë ju gjen juve? Shëndetësia të rikthehet te LSI-ja për shembull që licensa e infermierit zëvendësohet me teserën e partisë," vazhdoi Rama.


Rama i quajti turistë politikë kandidatët e opozitës, ndërsa solli në vëmendje sherrin mes demokratit Luçiano Boçit dhe sipërmarrësit Gjergj Luca. Nuk pritej të ndodhte ndryshe përveçse të mbronte njërën palë dhe të fajësonte palën tjetër kundërshtare.

"Dominanca është përplasja, sherri, konflikti si ai që grushtonte si uligan një sipërmarrës," tha Rama.

Ndërsa sjelljen e Lulzim Bashës në takimet elektorale, Edi Rama vijon ta cilësojë  deja vu të së kaluarës politike të PD.

"Një mungesë karakteri ky skuthllëk, është në fakt tipar i lidershipit të tyre dem baba dem," tha Rama.

Në Elbasan, PS synon të marrë 8 mandate, pavarësisht se në këtë qark, përballë Taulant Ballës garon sekretari i përgjithshëm e PD Gazmend Bardhi dhe kryetari i LSI-së Monika Kryemadhi.

https://youtu.be/6lmzHvppOew