"Triumfoi jeta"/ 19-vjeçarja me Covid sjell në jetë foshnjen e saj

Një 19-vjeçare shtatzënë, e prekur nga Covid-19, ka sjellë në jetë foshnjen e saj në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”.

19-vjecarja Manuela Hemollari, Nga Tirana, e cila kishte 10 ditë në shtëpi me shenja klinike, u detyruar të shtrohej në spitalin “Shefqet Ndroqi” pas rëndimit të gjendjes shëndetësore dhe vështirësive në frymëmarrje.

Pas 3 ditësh e shtruar në spital, mjekët e “Shefqet Ndroqit”, në bashkëpunim me mjekët gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, kryen ndërhyrje cezariane për të shpëtuar jëtën e 19-vjeçares dhe foshnjes së parë të saj që do të mbajë emrin Noel.

"E bëjmë me dije sot lajmin pasi donim të kishim siguri në dhënien e informimit që të dy, nëna dhe fëmija, të ishin mirë plotësisht dhe nga të papriturat që ndodhin nga pabesia e këtij virusi.


Ardhja në jetë e Noelit është një gëzim për të gjithë një ogur i mbarë dhe shpresë se jeta do të triumfojë. Urojmë që lajme të tilla të bukura ti ndajmë me ju çdo ditë. Gëzimi juaj është forca jonë për ta vazhduar këtë luftë deri në fund me fitore për triumfin e jetës", shkruan mjekja Alma Cani Ansary.