Fadromat ndaj Maternitetit, Meço: "Historia fillon me mua” prodhoi një qytet-monstër

Fadromat e pushtetit nuk po kursejnë asgjë në Shqipëri, ndërsa Tirana është qyteti që po e vuan më shumë këtë fenomen.

Pas Teatrit Kombëtar, Kullës së Sahatit që po mbulohet nga përbindëshit prej betoni dhe pas shumë objekteve historikë që po i fshihen kryeqytetit, së fundmi i erdhi rradha edhe Maternitetit "Nëna Geraldinë".

Ky objekt, me një histori gati 80 vjeçare dhe e konsideruar si një ndërtesat me karakteristike të kryeqytetit shqiptar, provoi fadromën mbi fasadën e saj, "monument kulture".

Lidhur me këtë ngjarje, mes shumë të tjerëve, reagon edhe gazetarja Sonila Meço.

Teksa rëndit të gjjitha sulmet e kësaj mazhorance mbi objektet kult të kryeqytetit, autorja e emisionit "Tempora" shprehet ndër të tjera se, teoria "Historia fillon me mua” ka prodhuar një qytet monstër.

Reagimi i plotë:

-Materniteti shembet natën për t’u rikonstruktuar.

-Kulla e Sahatit rrethohet me rrokaqiej betoni, natë e ditë.

-Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” shembet për një të ri me kullë betoni.

-Teatri Kombëtar shembet ndaj të gdhirë për një plan me kulla betoni.

-Veliera dëmton trashëgiminë arkeologjike në Durrës

-Muri rrethues i teqesë halvetiane shembet nga IMT e Bashkisë së Tiranës

-Kalaja e Tiranës pëson prekje të forta në identitet nga harku prej guri i portës së kalasë deri tek shtrimi me beton i sipërfaqes së tokës ngjitur me murin rrethues të kalasë, duke cënuar blloqet e gurit që e formojnë atë.

-Shembet Muzeu i Shkencave të Natyrës për të vendosur beton rrokaqiejsh. E të tjera e të tjera...Monumente kulture, të tëra...

Në rastin më të mirë po mbyt veprimtaria tregtare trashëgiminë kulturore e arkeologjike a thua se mbaruan terrenet e lira...Në rastin më të keq filozofia tabula rasa “Historia fillon me mua” prodhoi një qytet-monstër, ku të gjithë ndihemi jabanxhinj po aq sa punëtorët e huaj që po marrin punët që lënë shqiptarët e detyruar të emigrojnë.

Eksperiment i madh.

Një teori provohet nga një eksperiment, ama asnjë shteg nuk e çon eksperimentin tek lindja e një teorie.

Ndaj plani do jetë vendosur shumë herët.

Lexo edhe: Shembja e Maternitetit, qytetarët: Po shkatërrojnë kulturën dhe s’po ndërtojnë asgjë