Mjerimi ulur këmbëkryq në familjen Kruja në Kamëz, 38 vjeçari i rritur jetim apel shtetit: Më ndihmoni për fëmijët

Kjo është dhoma ku jetojnë 4 anëtarët e familjes Kruja në Kamëz.

E quajnë shtëpi por nuk ka asnjë orendi, as tryezë ngrënie as shtrat për fjetje.

Kryefamiljari Daniel Kruja thotë se është në ditët më të këqija të jetës, pa asnjë të ardhur ekonomike.

“Me borxhe në dyqan. Nusja fle këtu me gocën, unë me djalin te cepi, mbi dy batanije.”

Tregon se është rritur jetim. Pasi u martua, synoi që vuajtjet e tij të mos ia përcillte gruas e të bijve, por përpjekjet nuk ndaluan trashëgiminë e mjerimit.

“Më shumë jam rritur te daja. Prindërit nuk i kam, se babai më ka lënë të vogël. Jam mundur që ta ndryshoj jetën time përpara, por s’ka kush më ndihmon.”

38 vjeari thotë se e ka të pamundur të sigurojë ushqimin .

“Merr borxh, për të larë të tjerat.”

Fëmijët janë njeri 4 vjeç e tjetri foshnje, vetëm 5 muajsh.

“Shtetit më shumë i dua një shtëpi që të fusim kokën,për gruan dhe kalamajtë që mos ta humbin jetën kot si puna ime.”

Danieli kërkon ndihmë shtetit që të paktën ti sigurojë një strehë, pasi nuk kanë ku të fusin kokë, shtëpia që ai ka është me qera.

“Këtu jemi me qera dhe paguajmë 70 mijë lekë.”

E teksa largohemi dhe i lëmë me lot në sy e vetmja e qeshur në këtë shtëpi, janë dy fëmijët.