Shembja e Maternitetit, qytetarët: Po shkatërrojnë kulturën dhe s'po ndërtojnë asgjë
Ndërtesa "Mbretëresha Geraldinë" nuk i ka shpëtuar fadromave. Prej së shtunës nisi shembja e godinës me argumentin e dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ky objekt me një histori gati 80 vjeçare konsiderohet nga ndërtesat me karakteristike të kryeqytetit shqiptar.
Për qytetarët me këtë nisme po fshihet një tjetër pjesë e historisë dhe trashëgimisë kulturore.
“S’është veprim i mirë ky, prish këtej, prish andej edhe gjërat kryesore që janë monumente. Nuk duhet të prishen, në asnjë mënyrë,” thotë një qytetar.
Lexo edhe: “Historia nis me Ripjelljen! Trishtim!” Fadroma hedh në tokë maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”
“Ky farë shteti bën punime shumë të bukura, e prishin këtë dhe ia futin 50 kate dhe janë rehat,” thotë një tjetër.
“Sot vetëm shkatërrime po i bëjnë kulturës, po shkatërrohet çdo gjë dhe s’po ndërtojnë asgjë. Iku trashëgimia e të parëve tanë, e kulturës,” thotë një qytetar.
“Besoj se objektet që janë me rëndësi të veçantë nuk duhet të prishen,” shprehen qytetarët.
Aktivisti Sazan Guri e konsideron këtë veprim një tjetër nismë për zhdukjen e historisë
"Këta nuk kanë të ndalur. Kemi të bëjmë me zhdukjen e historisë së kombit, kemi të bëjmë që si shqiptarët të ndihen në boshllëk. Për këta historia nuk fillon as në '90 me Partinë Socialiste, por fillon me Partinë Klaniste," thotë ai.
Madje ai denoncon dhe raste të tjera kur ndërhyrjet kanë zhdukur më shumë se kulturën e Tiranës.
"Teatri i parë i shkatërruar, cirku i parë i nënshtruar, estrada e parë e përdhosur, radio e parë e vënë ndër këmbë, stadiumi i parë nuk ekziston më. Këta i tmerron historia, kultura i tmerron këta," thotë Guri.
Prishja e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore do t'i kushtojë qeverisë rreth 4.7 miliardë lekë ndërsa kohëzgjatja e punimeve është 3 vite.