Atentat me armë zjarri vëllezërve në Shkodër/Emrat

Ende pa u identifikuar autorët e vrasjes mafioze me armë zjarri të Mond Çekiçit në Durrës mëngjesin e sotëm, një tjetër atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme, kësaj herë në Shkodër.

Dy vëllezër, Marjan Doçi 23 vjeç dhe Hot Doçi 30 vjeç, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në lagjen “Bardhaj”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:45 minuta, ku të rinjtë po udhëtonin me një automjet tip “Audi A4”pa targa.

Vëllezërit kanë marrë dëmtime në krahë e këmbë por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka identifikuar si autor të ngjarjes shtetasin me iniciale B. P dhe po punon për kapjen e tij.

Rezulton se të plagosurit janë të afërmit e Gentian Doçit, person i dyshuar si organizator i rrëmbimit të Jan Prengës në Kamëz, në 17 janar të vitit të shkuar.

Edhe pse ka kaluar më tepër se 1 vit nga ngjarja e rëndë trupi i 50-vjeçarit nuk është gjetur ende.

https://youtu.be/6lQHtWr0XPw

Njoftimi paraprak i policisë

Rreth orës 19.45, në fshatin Bardhaj, në rrethana ende të paqarta janë plagosur me armë zjarri dy vëllezërit M.D.,  23 vjeç dhe H.D., 30 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjeksore, jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, forcat Shqiponja dhe ato të Sektorit Kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër.

Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe grupe të FNSH Shkodër, me qëllim rrethimin e zonës dhe krehjen e saj për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon veprimet për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes, identifikimit dhe kapjes së autorëve.

https://youtu.be/zgu1fkHeeR8