Denigrimi i kundërshtarëve në fushatë, Binjaku: Ekspertët e shkencave politike t'u japin më shumë receta politikanëve
Edhe pse nuk ka nisur zyrtarisht fushata politike, në këtë parafushatë "zgjimi" të elektoratit nga ana e partive është vënë re një gjuhë negativiste dhe denigruese kundër figurave kundërshtare, me fokus të veçantë gratë.
Sociologia e njohur, Entela Binjaku, thotë se ky fenomen është i përsëritur në çdo cikël elektoral por kësaj herë është më e theksuar.
Për Rtv Ora, Binjaku kërkon ndërhyrjen e ekspertëve të shkencave politike, të cilët sipas saj duhet tu japin më shumë receta drejtuesve të partive dhe kandidatëve.
Binjaku: Fushatat elektorale janë mundësia më e mirë për studiuesit e shkencave politike, veçanërishtfakulteteve të shkencave sociale për të dalë nga aulat universitare dhe për të dhënë ekspertizën e tyre.
Ndoshta strategjia që po përdoret këtë vit është disi negativiste, përqëndrohet kryesisht në uljen e figurës së tjetrit, poshtërimit e figurës politike të një kandidati dhe gruaja është më së shumti target. Ka ndodhur çdo vit por ndoshta këtë vit janë amplifikuar pak më shumë dhe janë vendosur në shënjestër shumë më tepër gra sesa në zgjedhjet e kaluara.
Si kudo, gruaja në Shqipëri ende nuk e gëzon atë respekt që i takon si gjysma e kësaj popullsie, si kontribuesja kryesore në edukimin dhe riprodhimin e kësaj shoqërie.Kjo që ne shohim është ajo që ne jemi deri diku. Politika shqiptare është e nivelit paradhomës politike. Mesazhe të tilla nuk i bëjnë mirë askujt. Ata që janë ekspertë të shkencave politike të japin më shumë receta, të japin më shumë këshilla, të jenë më pranë kandidatëve, ti japin kësaj shoqërie orientimin e duhur.
Dhuna dhe krimi në familje mbetet një tjetër problem i shoqërisë sonë, ku rasti më i fundit ishte ai i Fierit ku bashkëshorti masakroi për vdekje gruan.
Izolimi nga pandemia duhet se ka ndikuar negativisht në këtë drejtim.
Binjaku: Izolimi e vuri gjithësecilin prej nesh përballë familjarëve të vet, përballë zgjedhjeve të veta, përballë të zgjedhurve për jetën dhe familja u shndërrua në strumbullarin e kësaj situate.Shumë herë familjet nxorën në pah më të keqen e tyre, jeta në çift veçanërisht pa ku ishte në të vërtetë. Rastet e familjarëve që janë ndjerë të abuzuar, të kërcënuar, të dhunuar nuk kanë munguar veçanërisht në situatën e pandemisë.
Familja dhe jeta në çift u vu në sprovë në këtë periudhë. Në përgjithësi izolimi i ka bërë njerëzit më të frikësuar, kanë humbur sigurinë te e nesërmja, kanë frikë të shikojnë përpara, përketojnë shqetësime sesi do të dalin nga kjo situatë. Por fjala kyçe në këtë situatë është shëndeti.
Faktorët që e ushqejnë në një farë mënyre konfliktin në familje mbeten të njëjtë, ky kryeson papunësia dhe pasiguria për të ardhmen.
Binjaku: Problematikat familajre janë të larmishme, veçanërisht papunësia i kërcënon shumë qetësinë familjare, mungesa e perspektivës për fëmijët, hera-herës dhe mungesa e edukatës. Shpesh herë njëri nga familjarët është i edukuar keq dhe ja bën jetën shumë të vështirë tjetrit. Shkollimi po ashtu.
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti Besjana Kuçana