Grabitësit nuk kursejnë as 85-vjeçaren në Vlorë: Më lidhën këmbë e duar, morën 200 lekë
Banesa e një të moshuareje, 85 vjeçe, ka rënë pre e grabitësve në Nartë të Vlorës.
Sipas asaj që raporton gazetari i Ora News, Edi Ruçi, autorët kanë qenë dy persona.
Vetë 85-vjeçarja Varvara Papa rrëfen se, dy grabitësit i kanë lidhur këmbë e duar dhe pasi e kanë kontrolluar fizikisht, kanë kontrolluar edhe banesën.
E moshuara rrëfen se grabitësit i morën vetëm 200 lekë pasi aq kishte, ndërkohë rrëfen edhe ato çfarë i thanë dy grabitësit: "Më thanë mos bërtit, ndryshe do të të vrasim".
Dinamika e ngjarjes
Një prej grabitësve, fillimisht i ka zënë gojën të moshuarës që jetonte vetëm në mënyrë që mos të bërtiste, më pas edhe sytë ndërsa i kanë lidhur edhe duart.
Në këtë kohë, personi i dytë ka filluar të kontrolloj banesën. Kur s'ka gjetur gjë ka filluar të kontrollojë në trupin e të moshuarës.
85-vjeçarja në këtë moment ka filluar të bërtasë dhe autorët i kanë mbyllur gojën me shami.
Gjatë kontrollit në trup i kanë gejtur vetëm 200 lekë dhe nga inati janë larguar duke thyer një pasqyrë dhe duke rrëzuar disa orendi shtëpiake.
Sipas policisë, "në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve".
Njoftimi i Policisë Vlorë:
Informacion paraprak
Më datë 17.03.2021, rreth orës 12:51, në fshatin Nartë, Vlorë, dy persona të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur në banesën e shtetases V. P., 85 vjeçe, e cila nuk ka pësuar dëmtime.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorëve.
