Skandal me tenderin e bukës së çerdheve: Bashkia skualifikoi ofertën më të ulët, i hapi rrugën vëllait të deputetit PS, Qefalia

Skandal me tenderin për furnizimin me bukë të kopshteve dhe çerdheve.  Bashkia e Tiranës ka skualifikuar kompaninë me çmimin më të ulët, duke i hapur rrugë subjektit të vëllait të deputetit socialist.  Pas ankimeve ka qenë KPP që ka anuluar vendimin, duke rihapur garën.

Tirane- Skualifikimi i ofertës më të ulët edhe për blerjen e bukës për kopshtet e çerdhet në Tiranë duket se ka sjellë një skandal.

Në procedurën me vlerë rreth 15 milionë lekë institucioni nën drejtimin e Erion Veliaj ka larguar nga gara një nga kompanitë që ofroi çmimin më të lirë me justifikimin mangësi në dokumentacione, duke i hapur rrugës fitores së kompanisë "Dajti Park 2007", informon Ora News.

Subjekt ky i krijuar nga ish-kryekomunari dhe administratori i njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, njëkohësisht edhe vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Lexo dhe: Tender 1.4 mln $ pa garë, kandidati i PS Benet Beci bën qokat e fundit para zgjedhjeve të 25 Prillit

Ne gare oferta më e lartë
Në fakt rezulton se për kontratën në fjalë shfaqën interes katër kompani dhe në garë mbetën ato me ofertën më të lartë. Por pas njoftimit dy subjekte, kanë shfaqur pakënaqësi në lidhje me vendimin pranë Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht kësaj institucioni i drejtuar nga Veliaj nuk i ka marrë parasysh.

Kjo ka bërë që gjithçka të përfundojë në KPP, dhe ndër argumentet e listuara ishte dhe dyshimi për cilësinë e shërbimit të ofruar nga Dajti Park 2007.

“Nga hulumtimi ynë Dajti Park 2007 shpk nuk ka përvojë në furnizime të ngjashme të cilat të përmbajnë objektin e prokurimit të përcaktuar në këtë procedurë nga autoriteti kontraktor. Nisur nga specifika e autoritetit kontraktor dhe faktit që objekti i kësaj procedure është blerje bukë thekre dhe integrale e cila do të konsumohet nga fëmijë të vegjël.”

KPP pas analizimit të kërkesës ka kërkuar kualifikimin e kompanisë "Eraldo 2013", e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët. Madje duke vendosur që brenda 10 ditësh Veliaj duhet të anulojë vendimin, raporton Ora News.

Edhe një herë kjo problematikë sjell keqfunksionimin me procedurat për tenderat, ndërsa ende nuk ka një nismë për hetime nga KLSH apo prokuroria