AstraZeneca nuk do të ndalet, Manastirliu: Vaksinimi po ndiqet nga ekspertët
Vaksinimi me AstraZenecan në Shqipëri nuk do të ndalet. Ministrja e Shëndetësisë shprehet se mësuesit që refuzojnë janë në numër të vogël dhe nuk ndikojnë në proces. Nga ana tjetër Sindikata e Arsimtarëve shpreh shqetësimin për mungesën e informacionit.
"Procesi i vaksinimit do të vijojë."
Kjo është përgjigja e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pas pezullimit të vaksinës AstraZeneca në një sërë shtetesh të Bashkimit Evropian.
Në Fier ku në prezencë të kryeministrit inspektoi injektimin e dozave, Ministrja pranoi se ka arsimtarë që kanë refuzuar të marrin AstraZenecan.
"Kjo vlerësohet ditë pas dite, nuk ka pasur përqindje që të na alarmojë në këtë pjesë."
Lajmet në mediat evropiane dhe ato vendase kanë bërë që pasiguria ndaj vaksinës të rritet. E për të refuzuar mësuesit kanë argumentet e tyre.
"Jo për momentin. Po pres të kontaktoj me mjekun."
"Do ta lë për një kohë të dytë."
Kreu i Sindikatës së Pavarur të Mësuesve në Korçë ka nje tjetër argument. Sipas tij është vënë re një mungesë informacioni.
"Numri i mësuesve që e kanë bërë vaksinën ka qenë shumë i pakët. Nuk kam asnjë informacion se çfarë pasojash ka."
Deri më tani janë vaksinuar rreth 31 mijë persona, prej të cilëve mbi 2 mijë e 100 janë mësues, çka përbëjnë vetëm 7 përqind të totalit.