"Ujë 24 orë" premtim i pambajtur, banorët e kompleksit në Kashar furnizohen nga një pus
"Jemi në rrugë të mbarë. Shumica dërrmuese e qytetarëve do ta ndjejnë premtimin për 24 orë ujë që tani, jo deri në 2024."
Edhe pse kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është ambicioz kur flet për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm, disa zona periferike në kryeqytet nuk kanë as linja të ujësjellësit.
Ky kompleks pallatesh në Kashar, që prej vitit 2009 kur është ndërtuar nuk e ka një linjë ujësjellësi.
"Ka 11 vjet që furnizohemi me ujë pusi, nuk ka ardhur njeri të na pyesë a kemi apo nuk kemi ujë, drita. Kemi shumë probleme me ujin, në 2021 dhe nuk i bie në mendje dikujt për të ardhur."
Ata shprehen se ky ujë është i ndotur dhe se e përdorin vetëm për tu larë, ndërsa ujin e pijshëm detyrohen ta blejnë.
"Uji vetëm për t'u larë, se kemi Lanën afër. Për asgjë tjetër nuk përdoret si ujë. Për të pirë e blejmë."
Krahas furnizimit me ujë, kjo hyrje ka vetëm një kabinë elektrike për shkak se boksi i dytë është djegur përpara dy vitesh.
"Kabina elektrike ka qenë djegur. Kanë qenë dy bokse dhe ka ngelur vetëm një. Ata të elektrikut kanë thënë që do ta rregullojnë. Por nuk e kanë zëvendësuar."
Sikur të mos mjaftonin këto probleme, banorët e këtij kompleksi duhet të përballen me rrugët e shkatërruara rreth tyre, ndërsa vlejnë të përmenden edhe dëmtimet e konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
