Meta përsërit apelin: Mbani duart larg nga vota! Presidenca është kala e papushtueshme
Presidenti Ilir Meta përsëriti apelin për mbajtjen e duarve larg nga vota e çdo qytetari në zgjedhjet e 25 prillit.
Ai tha se së shpejti do të bëjë publik edhe planin e Presidencës për mbrojtjen e votës.
Meta: Se çfarë përmban plani do të njiheni në ditët që vijnë. Çdo qytetar i ndershëm dhe patriot, pavarësisht nga bindjet e tij partiake, është 100% dakord me presidentinn që nuk duhet të vihet më dorë mbi votën e qyetarëve shqiptarë sepse prandaj jemi në situatë kaq të rëndë që udhëheqim në nivel botëror për shpopullimin e vendit. Është një kusht i pakapërcyeshëm për fillimin e negociatave.
Të gjithë ti mbajnë duart larg nga votat e qytetarëve shqiptarë, të gjithë të kontribuojnë për një fushatë sa më civile dhe europiane. Të gjithë të paraqesin alternativat e tyre se çfarë kanë bërë dhe çfarë do të bëjnë më mirë në të ardhmen.
Është pozitive që përveç forcave politike kemi dhe mundësinë si qytetarë të shprehemi për kandidaten apo klandidatin që preferojmë duke dhënë mesazh të qartë se drejtuesit e partive dhe forcat politike duhet të përzgjedhin dhe promovojnë njerëz me integritet në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta tha se Presidenca është kala e papushtueshme e demokracisë dhe pralajmëroi se do të rivendoset demokracia në të gjitha institucionet në bulevardin "Dëshmorët e Kombit."
Meta: Kjo histori ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në Shqipëri. Shqipëria me çdo çmim do të shkojë drejt zgjedhjeve të lira dhe vullneti i popullit do të lexohet ashtu siç është realisht. Nuk ka sondazh të blerë dhe nuk ka plan djallëzor dhe monstruoz që të deformojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Ndryshimi që ka ndodhur në Shqipëri në kuptimin e vullnetit për ndryshim, revolta për dhunimet që i janë bërë Kushtetutës është e jashtëzakonshme. Ky është i vetmi angazhim i Presidentit, shqetësimi për tonet e Presidentit nuk duhet të ekzistojnë sepse është thjesht manovër propagandistike për të mbuluar të vërtetën e rëndë që është kapitulli i shtetit të së drejtës për shkak të kapjes totale të shtetit.
Nëse do të funksiononte shteti i të drejtës ata persona që provokuan dhunën ndaj FRD në kulmin e zgjedhjeve sot duhet të ishin marrë në ndjekje penale për shpërdorim detyre dhe zgjidhje me vetëgjyqësi. Të ushtrosh dhunë me persona civilë edhe në prezencën e Presidentit tregon se kemi të bëjmë me një bandë që kërkon të nënshtrojë çdo institucion.
Presidenca është një kala e papushtueshme e demokracisë. Falë qendresës së Presidentit dhe popullit heroik të 2 marsit, i cili është dhjetëfishuar nga të dhënat që disponoj, do të rivendoset demokracia në të gjitha institucionet që janë këtu në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".