Prezantimi i kandidatëve, Çipa dhe Lela: Janë lista të kryetarëve
I ftuar në një intervistë në RTV Ora, gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa ka komentuar listat e kandidatëve të prezantuar nga partitë politike, kryesisht nga PS dhe PD.
Sipas tij, ka ndryshime pozitive te të dy listat por e quajti ende problem rolin determinant të kryetarëve të partive mbi hartimin e tyre.
“Ka ndryshime. Ka ndryshime që do ti quaja edhe substanciale por duhet prova e kohës për ta provuar zyrtarisht. Kur them prova e kohës, nënkuptoj faktin, të dyja palët kanë lista emra të rinj të jetës publike që përfshihen në një aktivizëm zyrtar politik dhe një përfshirje institucionale në politikbërje. Dhe për këtë arsye mendoj se këtu është risia. Në listën e PS që pretendon mandatin e tretë por kryesisht në listën e PD që pretendon rotacionin dhe një qeverisje të ndryshuar.
Për Çipën, problem mbetet "mënyra se si determinon të gjithë procesin selektues autoriteti i kryetarëve të partive politike".
Në njëjtën linjë qëndron edhe gazetari e moderatori i emisionit "Politik On" në RTV Ora, Alfred Lela.
“Të thella në një kuptim dhe të përcipta në kuptime të tjera. Ka patur punë, ka patur volum pune për të arritur te emrat. Vullneti apo dëshira e të dyja palëve është për të fituar zgjedhjet. Në këtë kuptim puna nuk mund të nënçmohet. Pastaj për cilësitë apo qasjet sipërfaqësore mund të gjejmë sa të duash. Analiza ka qenë e gjatë dhe do të vazhdojë edhe të paktën për disa ditë derisa fushata ti ketë ndezur të gjithë motorët.
Unë bie dakord me kolegun Çipa që këto janë lista të kryetarëve. Kjo tani është një fakt i kryer i realiteteve politike. Nuk ka ndryshuar as ora e mesnatës e me rradhë", u shpreh ndër të tjera Lela.